Z. Ministër, meqense jemi në prag të shënimit të përvjetorit të GREVËS së MINATORVE të vitit
1989, vendosa përmes kësaj letre t`ua përkujtoi Juve dhe opinionit të gjerë ato ditë, por edhe
gjendjen e minatorëve sot.
Vetëm ai që ka pasur fatin të jetë ato ditë me ta, ka pasur mundësinë ta kuptoi gatishmërinë e tyre
për sakrificë, gatishmërinë që të japin çdo gjë nga vetvetja për të mbrojtur të drejtën, lirinë dhe
interesin e përgjithshëm pa kërkuar asgjë për vete.
Ndoshta ata për mua atëherë ishin të jashtëzakonshëm se i kam përjetuar dhe takuar, (kam ndarë
fatin me ta) në një moment të jashtëzakonshëm. Ata që atëherë u quajtën <SIMBOL I
RREZISTENCES GJITHËPOPULLORE>, gjithë populli u solidarizuan me ta pikërisht për shkak
të modestisë, urtësisë dhe gatishmërisë për sakrifice.
Vetëm i urti dhe heroi e kanë sinqerisht dhe në emër të së vërtetës, kurse demagoget dhe
politikanët me dyfytyrësi dhe në emër të interesit.
Po ua përkujtoi përpjekjen e tyre për të mos lejuar ndryshimet kushtetuese dhe suprimimin e
autonomisë së Kosovës, marshimin e tyre në këmbë për në Prishtinë (nëntor 1988) e më pastaj
GREVËN urisë që lëkundi themelet e Jugosllavisë. Nga ajo kohë dhe në vazhdim represioni dhe dhuna sistematike shtohej por asnjëherë nuk pati luhatje në rrugën që kishim nisur, me shpresë se ditë të mira do të vijnë, më pas, për ta dhe fëmijët e tyre.
Me formimin e LDK-së, në krye me Dr. Ibrahim Rugovën të gjithë u anëtarësuam në ketë LEVIZJE dhe thuajse ishim edhe anëtarësia e parë numerike që ju bashkuam alternativës. Tani ndiheshim më të fortë!
Më 06.03.1990, në minierën ku kam punuar edhe unë (por edhe në minierat dhe ndërmarrjet tjera
për mos me i përmend të gjitha se nuk i kam datat e sakta) të gjithë punëtorët braktisen Sindikatën
e atëhershme dhe formuan Sindikatën e tyre të pavarur. Si kundërpërgjigje Serbia më 19.03.1990, filloi të aplikoi ligji e ashtuquajtur < obligimi për punë> të miratuar enkas nga Kuvendi Serbisë.
Më 07.08.1990, Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme, të cilat nuk i pranuam dhe
vendosem që mos ti zbatojmë urdhrat e tyre. Si ndëshkim për këtë por edhe sipas projektit serb për
spastrim etnik të Kosovës pasuan masat tjera.
Sipas evidencës së vitit 1994 pasojat e kësaj fushate ishin:
- 7641 minator (dhe punëtor tjerë në miniera) u larguan nga puna,.
- 3388 prej tyre u dënuan me burg (prej 30 ditë deri në 14 muaj),
- 333 u rrahën dhe malltretuan në forma të ndryshme,
- 8 prej tyre (vetëm në minierën ku kam punuar unë) përjetuan atë <izolimin> famëkeq së bashku
me shumë tjerë që ju ndoshta e dini,
- 51 punëtorëve iu morën banesat, mbeten pa kulm mbi kokë,
- 219 u larguan nga Kosova për shkaqe ekonomike (me familje),
- 491 u larguan nga Kosova për të njëjtat shkaqe (pa familje),
- 203 kërkuan azil politik në shtete të ndryshme dhe
- 1915 prej tyre mbeten pa kurrfarë të ardhurash, në mëshirën e tjerëve për të iu ndihmuar.
Athua ku qëndronte arsyeja që pushteti serb u soll me kaq brutalitet ndaj tyre?
Sindikatës, që tanimë ishte organizatë e të papunëve, ju ngarkuan detyra të rënda. Ishte i
domosdoshëm angazhimi për organizimin e grumbullimit dhe shpërndarjes së ndihmave për gjithë
ato familje në nevojë, natyrisht, me koordinimin e veprimeve me subjektet politike (LDK-në), me
Sindikata të vendeve demokratike të botes të cilat së pari duhej informuar për gjendjen e rëndë të
krijuar në Kosovë. Në anën tjetër duhej ruajtur uniteti si dhe grackave të vazhdueshme të kurdisura
nga Serbia. Ndër to kërkesat e vazhdueshme gjëja për kthim në punë. Por tani gjërat kishin ecur
larg dhe kërkohej përkrahje e kërkesave tanimë konkrete dhe atë në mënyrë institucionale.
Meqenëse isha i caktuar nga Bashkimi i Sindikatave për koordinim me LDK-në, më 09.06.1995
kam qenë i ftuar në takimin e Presidenti Rugova me Kryetarët e degëve (unë isha edhe në cilsinë
e nënkryetarit të BSPK-së).
Pas informatës të PRESIDENTIT, që ishte pika e pare e rendit të ditës, për piken e dytë isha i ftuar
për të informuar për qëndrimet e sindikatës lidhur me disa konkurse serbe për të pranuar një numër
të vogël të punëtorëve në punë, për bisedimet eventuale me sindikatën serbe të iniciuar nga një
institut amerikan.
U pajtuam për qëndrimet që duhet të mbajmë dhe se kemi obligim të mbrojmë interesin e shumicës
së punëtorëve, nuk guxojmë të krijojmë përçarje në mes të punëtorëve kurse sa i përket bisedimeve,
Ne mund të bisedojmë por pa hy në çështjet politike qe tani janë detyrë e institucioneve të zgjedhura
në Kosovë.
Mund të numërohen në gishtat e një dore ata shqiptarë që kanë pranuar të kthehen në punë me kushtet e vendosura nga Serbia, edhe pse i joshnin me kthimin e banesave dhe me përfitime të
tjera.
Ngjarjet që pasuan më pas janë të njohura për të gjithë, por pas luftës ja si <u shpërblyen>
minatorët, edhe pse shpresat ishin të mëdha se po vinin ditët që kemi pritur.
- Ndodhi privatizimi dhe gati të gjithë prapë mbeten pa punë.
- U tha se atyre nuk mund tu numërohet stazhi i punës për periudhën 1990-1999.
- U mor vendim se të drejtë në pension kanë vetëm ata punëtor që kanë mbi 15 vjet stazh pune me kontribute të paguara. Me një fjalë për të pasur të drejtë në kësi pensioni, sipas kësaj logjike, 80%
e punëtorëve ishte dashur ti pranojnë masat e dhunshme dhe të punojnë me ligjet e Serbisë.
- Iu mohua e drejta në pension edhe atyre punëtorëve të cilët për të siguruar ekzistencën punuan
në disa firma të ndryshme private (me pronar shqiptar), po, as ata nuk pranuan t`i paguajnë
kontributet Serbisë, nga se ashtu ishte edhe qëndrimi sindikatës.
- Me ligjet e shtetit tone të < dashur>, edhe një ditë nëse ke mangut 15 viteve, i humbë të gjitha
vitet dhe kalon në pension të pleqërisë. Ky është absurd sepse kudo në botën e civilizuar punëtorit
i pranohet stazh aq vite sa i ke kaluar në punë, qofshin ato dy, tri apo më shumë.
- Ju lutem ku e morët ketë model, si ka mundësi? A nuk ka qenë më e drejtë që secilit së paku t`i
numërohen aq vite sa ka. Apo në demokraci thirreni aq shumë vetëm sa për të na hedhur hi syve
dhe domosdo atëherë kur i kërkoni votat? Ju mundë të arsyetoheni se kjo bëhet në mungesë të
buxhetit, por, kjo nuk qëndron kur shihet se si po keqpërdoret buxheti nga vetë institucionet.
- Tani a ka më turp se tu thuhet punëtorëve krejt e kundërta e asaj që iu është thënë atëherë, kur
shohin se ata që kanë punuar në cilin do shtet, qoftë edhe një kohë të shkurtër, askush nuk merr të
drejtën t`ua humbë djersen e tyre .
- Tani sikur na thoni se ne është dashur ti pranojmë të gjitha (masat e dhunshme, suspendimin e
autonomisë, okupimin etj.) në mënyrë që sot ta gëzonim të drejtën për pension!
- Na tregoni ju lutemi z. Ministër si do ta ndiej vetin një minator sot, që ka kontribuar për
Pavarësinë e Kosovës, që ka pësuar të gjitha ato që u thanë më lartë dhe nuk i takon as pensioni i
cili edhe ashtu është minimal, por, kjo nuk besoj së mund të arsyetohet. Apo, ndoshta?
- Si do ta ndiej vetin ai punëtor kur takohet me një koleg të vetin që ka pranuar Serbinë si shtet të
vetin dhe nuk i ka njohur institucionet legjitime të Kosovës (edhe pse të tillët, për fat, kanë qenë
pak) dhe përkundër kësaj tani merr pensionin e plotë?
- Çka t`u thonë fëmijëve këta minator , kur fëmijët e tyre e shohin si trajtohen ata sot?
- Si ka mundësi që po gjeni mjete për t`i paguar trefishin e atyre që vërtet kanë vesh uniformen e
UÇK-së (ata vetë po e thonë këtë), e që në fakt është për të fituar vota, dhe nuk paska mundësi që
punëtorëve së paku mos t`u mohohet djersa dhe mundi i tyre.
- Si ka mundësi z. Ministër të thirreni në Rugovën dhe rugovizmin dhe vendimet të jenë në
kundërshtim me vendimet e marra gjatë periudhës 1990-1999?
- Çka duhet t`u themi sot atyre minatorëve që dikur i përfaqësonim dhe na besonin?
Dhe për fund z. Ministër Abrashi, thuhet se < vështirë është të ruhet paça kur diferenca në mes të
varfërve dhe të pasurve është marramendëse>. A mendojnë drejtuesit tanë për këtë vallë!
Po citoi një thënie që e kam lexuar diku: <PUSHTETI POLITIK ËSHTË AFTËSIA E DISA
NJERZVE PËR T`I DETYRUAR TË TJERËT TË PUNOJNË SIPAS DESHIRES SË TYRE, KJO
AFTËSI VJEN NGA POZITA NGA FUNKCIONI APO PREJ PARAVE, PRANDAJ NUK KA
LIDHJE AS ME MIRËSINË AS ME MENQURINË...>
Ibrahim Zogjani
nenkryetar i PSD
ish. kryetar i Sindikatës së Minatorëve dhe
nënkryetar i BSPK)
PRISHTINË, 14.02.2017
No comments:
Post a Comment