Prishtinë, 28. 04. 2017
Dita
ndërkombëtare e punëtorëve 1 Maji ka lindur nga lufta dhe përpjekjet e gjata të
punëtorëve për të fituar të drejtat, liritë dhe për të siguruar kushte më të
mira të punës dhe të jetesës.
Festimi i 1 Majit lidhet ngushtë me
protestat e përgjithshme e të përgjakshme të mijëra e mijëra punëtorëve dhe
sidomos të punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë të 1 Majit të vitit
1866. Pas shumë peripecive, nga viti 1891 kjo ditë kremtohet përgjithnjë dhe në
terë botën si ”Festa e punëtorëve”.
Si formë më e gjerë dhe më masive e
organizimit të klasës punëtore sindikatat në botë veprojnë në kushte të
ndryshme shoqërore, ekonomike e politike. Ani pse të formuara para pak më shumë
së një shekull, sot në botë, në sindikata janë të organizuar rreth 450 milion
punëtorë në më shumë së 300 sindikata kombëtare. Në shumë vende roli i tyre
është i pazëvendësueshëm. Për fat të keq
punëtoret kosovarë nuk po e shijojnë jetesën që e meritojnë. Ata kanë pritur dhe
kanë merituar më shumë dhe më mirë se kaq nga shteti i tyre.
Procesi i privatizimit, korrupsioni,
klanet e krimit të organizuar ekonomik, grupet e caktuara të interesit dhe
dukuritë tjera negative po e shfrytëzojnë dhe po e keqpërdorin pronën e këtij vendi
që e ndërtuan punëtoret me djersën e tyre.
Gjendja aktuale e punëtorëve në Kosovë
nuk është si duhet, andaj dita e 1 Majit duhet ta mobilizoi, vetëdijesoi dhe
organizoi punëtorinë, që përmes kërkesave konkrete të ngrit zërin për ndryshime
pozitive të gjendjes dhe të përmirësoi kushtet e punës dhe të jetesës.
Angazhimi për liri, barazi, drejtësi dhe
solidaritet të qytetarëve të bazuar në parimet e demokracisë dhe të tregut të
lirë qëndron në bazën programore të PSD. PSD me programin e saj të definuar qartë,
e konsideron veten si sindikatë të popullit dhe nga ky aspekt e dëshiron,
respekton veprimtarinë dhe angazhimin funksional të sindikatave, kjo aq më
parë, kur e tërë historia e partive socialdemokrate është e lidhur ngushtë me
sindikatat, ato janë aleat të pandashëm dhe historik.
Jemi të vetëdijshëm së qytetaret e
Kosovës ballafaqohen me një vistër problemesh. PSD-ja si forcë politike
angazhohet për qasje të civilizuar dhe humane për zgjidhjen e tyre duke i
definuar qartë prioritetet e shoqërisë.
Kemi arsye të fuqishme të reagojmë për
shkak të mospërfilljes së të drejtave të punëtorëve,pensionistëve si dhe të
sindikatave në proceset shoqërore dhe vendim-marrëse.
Është koha që të bëhen hapa më të
guximshëm për konsolidimin edhe funksionalizimin e sistemit juridik dhe
sundimin e ligjit, trajtimin plotësisht të barabartë të qytetarëve pa asnjë
dallim dhe për aplikimin e qeverisjes së përgjegjshme dhe pa deformime,
klanore, të nepotizmit, korrupsionit etj.
Sindikatat e Kosovës kanë një traditë të
gjatë dhe shpesh kanë qenë në ballë të përpjekjeve të popullit për mbrojtje të
drejtave të tij. Një arsenal i tërë terrori e dhune është ushtruar kundër
punëtorisë shqiptare të Kosovës në periudha të kaluara. Por, sindikatat tona
përkundër të gjitha vështirsive dhe reprezaljeve me të cilat u ballafaquan
arritën të ekzistojnë e të sfidojnë edhe okupatorin edhe masat e
papërshkrueshme diskriminuese që ushtroi pushteti, sidomos ai i Serbisë.
Si pasojë e kësaj katrahure që përjetoi
punëtoria dhe ekonomia kosovare as sot e kësaj dite sindikatat tona nuk kanë
arritur të bëhen sindikata klasike të punëtorëve, që veprojnë në rrethana
normale, por, fatkeqësisht shumë nga ato mbetën sindikata të papunëve.
Sindikatat duhet që me këmbëngulje dhe
pa ngurrim ti shfrytëzojnë mjetet e parapara programore të angazhimit dhe të
luftës për realizimin e të drejtave të punëtorëve e që janë:
negociatat-bisedimet, marrëveshjet kolektive, protestat, grevat, ndërmjetësimin
dhe arbitrazhin, pra mjete këto paqësore dhe kushtetuese.
Sindikatat si organizata të interesit
dhe jopolitike të punëtorëve në themel kanë angazhimin dhe luftën sindikale për
të krijuar kushte kualitative të punës, jetesës në bazë të punës për anëtaret e
vet dhe familjet e tyre, gjë të cilën sot e realizojnë vështirë. Ani pse janë
në gjendje pak më të mirë së ata mija e mija të papunë.
Ftkeqësisht sindikatat kosovare as pas
luftës e as pas pavarësisë nuk gjetën rrugë dhe përkrahje për të arritur që të
zënë vendin që ju takon në shoqëri. Në Evropë të cilës i përkasim fizikisht dhe
pretendojmë që ti bashkohemi gjendja është krejtësisht tjetër. Sindikatat janë
subjekt i fuqishëm. Ato kanë pjesëmarrje të gjerë në qeverisje në të gjitha
nivelet e sidomos në ndërmarrje.
Tranzicioni në Kosovë, për shkak të
rrethanave specifike ka lënë pasoja të rënda. Ky tranzicion, duke i shtuar edhe
një proces privatizimi të imponuar dhe shpesh kriminal, ka sjellë dobësimin e
skajshëm të ekonomisë nacionale.
Përkundër pritjeve e reklamimeve të
mëdha të këtij privatizimi, si pasojë kemi pasur, veç tjerash edhe humbjen e
rreth 70 mijë vendeve të punës nga ky proces, e të gjitha së bashku të
përcjella me rritje të varfërisë dhe shkatërrimin e shtresës së mesme me rritje
te pabarazisë së padrejtë sociale.
Shkalla e papunësisë është e lartë dhe
nuk ka investime nga jashtë përkundër pritjeve dhe premtimeve të qeverisësve
tanë. Realizimi i shumë të drejtave të punëtorëve, fatkeqësisht është gati i
pamundur nga fakti së një pjesë e madhe e aktiviteteve ekonomike ende
zhvillohet në tregun ilegal, gri dhe të zi. Funksionimi i ligjit është pikë e
dobët dhe shteti nuk po arrin të krijoi kushtet e domosdoshme për funksionimin
e sindikatave. Për fat të keq organizimi sindikal në ndërmarrje private thuaj
së nuk ekziston. Kjo në radhë të parë për shkak të pasigurisë ligjore të
punëtorëve. Mos të flasim për kushtet e punës, pagat e të drejtat tjera nga
puna që në shumë raste jo që shkelën por i afrohen eksploatimit brutal.
Por, që të arrijë të realizojnë të
drejtat e veta punëtoret dhe sindikatat duhet të bëjnë presion të fuqishëm ndaj
pushtetit, duke kërkuar mbështetje edhe nga forcat tjera, si organizatat
qytetare e shoqatat profesionale, që shteti përmes respektimit të ligjeve t`i
detyroi të gjithë punëdhënësit, por edhe punëtoret, që të zbatojnë ligjet, ti
zbatojnë standardet dhe të drejtat e punëtorëve dhe ti mbrojnë fuqishëm ato të
drejta. Për këto qëllime punëtoret duhet të jenë unik dhe të bashkuar në
sindikata. Uniteti realizohet më lehtë sepse interesat janë te përbashkëta.
Kërkohet vetëm më shumë tolerancë demokratike dhe solidaritet. Sindikatat duhet
orientuar energjitë e tyre për zgjidhje të nevojave esenciale e jo të merren me
vetveten. Domosdo ato duhet të jenë të pavarura nga partitë politike. Por,
pavarësia duhet ndarë nga neutraliteti. Ato duhet të kenë guximin dhe lirinë që
t`i shprehin në çdo rrethanë pikëpamjet e tyre dhe të luftojnë për interesat e
veta. Partitë politike dhe sindikatat duhet të çmojnë njëra tjetrën për aq sa
përputhën programet e tyre.
Tani vërehet haptas së si pasojë e
mos zbatimit te ligjeve po cenohet edhe tregu ilirë i punës që domosdo shkakton
pabarazi në mes të qytetarëve. Këto pabarazi janë nga më të ndryshmet si
shkelja e procedurave të punësimit, shkelja e normave të sigurisë në punë si
ato ligjore ashtu edhe ato teknike.
Jemi të vetëdijshëm së papunësia prekë
më së shumti kategoritë më të ndjeshme, të vobekta e me probleme tjera sociale
dhe për kah struktura të rinjtë dhe femrat. Andaj inkurajojmë si punëtoret
ashtu edhe sindikatat e tyre që të shfrytëzojnë mjetet e presioni për arritje
të realizimit të drejtave që ju takojnë. Por, si duket një masë e
konsiderueshme e punëtorëve sindikal kanë gjetur rehatinë e tyre dhe me këtë po
mjaftohen. Si mund të pajtohen sindikatat kosovare me dy lloje pagash minimale.
Apo për një muaj pune punëtori të merr jo më shumë së 130 euro. Pagë që nuk i
mundëson asgjë. Krahasojeni këtë me pagat e disa personave që marrin deri në
pesëdhjetë fish më shumë!
Apelojmë që punëtoret dhe sindikatat e
tyre të solidarizohen më shumë me njëri tjetrin dhe të bashkuar të mbrojnë
interesat e tyre, sepse, krahas interesave të tyre mbrojnë edhe interesat e
përgjithshme qytetare e kombëtare. Ashtu siç kanë vepruar në ditët më të
vështira. Ata duhet të jenë të paret që gjykojnë dhe kundërshtojnë me forcë
padrejtësitë, keqpërdorimet, korrupsionin e sidomos punësimin politik dhe në
baza familjare.
PSD i kupton dhe ndjenë vështirësitë,
problemet dhe hallet e punëtorëve. Andaj, mos nguroni kërkoni të drejtat që ju
takojnë dhe mos hiqni dorë nga ato. Jeni pjesë e punëtorëve të Botës dhe
të Evropës dëshmojeni këtë kurdoherë. Festojeni 1 Majin së është dita
juaj por mos harroni përgjegjësinë që keni për këtë kohë, por edhe për kohen
dhe për gjeneratat që vijnë.