Programi

PLATFORMA PROGRAMORE E POLITIKE E PSD-SË

QËLLIMET E SOCIALDEMOKRACISË NË KOSOVË

Humanizmi

   PSD-ja është forcë politike e cila angazhohet për një qasje njerëzore dhe të civilizuar në zgjedhjen e problemeve të qytetarëve të Kosovës. PSD ofron partneritet për zgjedhjen e problemeve dhe nuk e sheh pushtetin si sundim mbi qytetarët por si përgjegjësi për t`u ballafaquar me problemet ekonomike, politike dhe sociale të qytetarëve. Politika e PSD-së është e bazuar në parimet e humanizmit, etikës njerëzore dhe demokracisë sociale.
   Pikëpamja socialdemokrate mbi shoqërinë është shprehje e synimit për të përmbushur idetë e lirisë, barazisë, demokracisë dhe solidaritetit. PSD synon mbrojtjen dhe konsolidimin e lirive qytetare nëpërmjet çlirimit të njerëzve nga inferioriteti ekonomik, kulturor dhe social, si dhe përmes eliminimit të varësisë së tyre nga grupet e interesit të krijuara në bazë të pushtetit dhe statusit ekonomik individual.

Socialdemokracia

   Ne angazhohemi për liri, barazi, drejtësi dhe solidaritet të qytetarëve  të bazuar në parimet e demokracisë dhe të tregut të lirë. Synojmë ofrimin e mundësive të barabarta për njerëz pa dallim të përkatësisë politike, gjinore, fetare ose nacionale. Angazhohemi për një mirëqenie ekonomike dhe sociale në Kosovë dhe besojmë se kjo mund të arrihet vetëm përmes solidaritetit dhe trajtimit dinjitoz e të barabartë të qytetarëve.
   Socialdemokracia lufton për barazi në shpërndarjen e burimeve materiale si dhe për t`u dhenë të gjithë individëve mundësi të njëjta për të ndikuar në shoqëri dhe në jetën e tyre. Këto burime përfshijnë edhe vetë-përcaktimin, fuqinë ekonomike, arsimin dhe kulturën. Barazia është parakusht i lirisë. Besnik ndaj kërkesës për liri, me bindjen së të gjithë njerëzit kanë vlera të njëjta dhe dinjitetin e tyre, socialdemokracia kundërshton ndryshimet klasore pa merita dhe diskriminimin e çdo forme. 

Drejtësia

   PSD angazhohet për një sistem funksional të drejtësisë dhe të sundimit të rendit juridik dhe politik në Kosovë duke u bazuar në ndarjen e qartë të pushteteve. Angazhohemi për krijimin e një ambienti jetësor, ku do të mbizotëroi rregulli, e drejta e njerëzve në trajtim të barabartë nga pushteti dhe ofrimi i shanseve të barabarta për të gjithë. Drejtësinë nuk e krijon forca e të fortit, por forca e ligjit. Andaj, angazhohemi për drejtësi për të gjithë dhe do t`a luftojmë drejtësinë e privilegjuar nga politika.
   Të drejtat dhe liritë qytetare, të drejtat universale dhe e drejta e barabartë e votës, liria e mendimit dhe besimit, liria e shprehjes së lirë dhe organizimit për ne janë të drejta fundamentale dhe të pacenueshme.

Qeverisja e shëndoshë dhe efektive

   Ne angazhohemi për kontroll të pushtetit. Ai detyrimisht duhet t`u nënshtrohet mekanizmave kontrolluese të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligje. Ne synojmë të forcojmë institucionet e pavarura të krijuara me ligj dhe të rrisim pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Qeveria që të vetmin qëllim ka pushtetin është qeverisje e interesit klanor dhe jo qeverisje e përgjegjshme. Qeverisja nuk është vetëm pushtet, aq më pak është pushtet familjar. Qeverisja është në radhë të parë përgjegjësi. Përgjegjësi për t`a udhëhequr shtetin për të mirën e të gjithë qytetarëve të tij.
   PSD është kundërpeshë demokratike dhe zhvillimore e politikës dhe sjelljes së pushteteve të deritashme. Ne synojmë drejtim të ri. Pretendojmë dhe kemi qëllim themelor ndërtimin e Kosovës si shtet demokratik, social, shtet juridik dhe të drejtësisë, pretendojmë Kosovën në të cilën çdo qytetari do t`i sigurohen të drejtat e tij themelore dhe shanset e barabarta për realizimin e tyre.
   Kosovës i nevojiten ndryshime rrënjësore, kushtetuese, ligjore e normative si dhe ndryshime të sjelljes së përgjithshme të pushtetit, ashtu që të ndërtohet shteti juridik dhe i drejtësisë, që shpejtë të hiqet dorë nga elementet e tashme të shtetit autokrat. Në vend të pushtetit të korruptuar duhet ndërtuar përbërja dhe praktika e pushtetit të ndershëm në dobi të gjithë qytetarëve.

Mirëqenia

   PSD angazhohet për mirëqenie të popullit të Kosovës, e cila do të arrihet përmes ekonomisë së tregut, ndarjes së drejtë të mirave, shpërblimit njerëzor për punëtoret, sigurimit shëndetësor për të gjithë dhe ekonomisë konkurrente të bazuar në rregullat ekonomike të tregut të lirë. Ne do të punojmë në shërimin e shoqërisë nga korrupsioni, keqpërdorimi i pushtetit, monopoli dhe ekonomia joformale.
   Kushte të domosdoshme për jetë më të mirë të qytetarëve të Kosovës janë zhvillimi ekonomik dhe vendet e reja të punës prodhuese krahas rritjes së sigurisë dhe drejtësisë sociale.

Partneriteti me qytetaret

   Ne angazhohemi për pjesëmarrjen e qytetarëve në pushtet. Demokracia funksionon vetëm nëse qytetaret bëhen pjesë e qeverisjes. Andaj, angazhohemi për një shoqëri civile të fortë, të mbështetur nga institucionet dhe një shoqëri në të cilën njerëzit e gëzojnë të drejtën e shprehjes së lirë të mendimit edhe në publik duke mos u frikësuar nga konsekuencat politike të pushtetit.
   Njerëzit detyrimisht janë të varur nga njëri tjetri dhe jo vetëm për hir të mirëqenies personale. Vetëm mbi baza të bashkëpunimit midis tyre dhe tolerancës, mund të ndërtohet mirëqenia e përbashkët dhe së bashku me te mirëqenia individuale.

Pluralizmi dhe toleranca politike

   Ne angazhohemi për një tolerancë politike dhe të ideve politike, duke gjykuar çdo acarim, nxitje ose ndarje politike në mes të njerëzve ose rajoneve në Kosovë.
   Demokracia për ne nënkupton lirinë e mendimit dhe besimit, të drejtën për integritet personal dhe jetë private, liri të besimit, shprehjes dhe të shtypit, lirinë e grupimit dhe mbledhjeve përfshi të drejtën për të demonstruar në publik për opinionet personale dhe të drejtën sindikale për veprim të drejtpërdrejtë.

Integrimi

   Politika e PSD-së është politikë integruese, shtet-formuese, kombëtare dhe institucionale. PSD-ja angazhohet për ruajtjen e gjithanshme të ambientit në të cilin jetojmë. PSD-ja angazhohet për intensifikimin e proceseve integruese të Kosovës.
   Socialdemokracia kërkon përpjekje të veçanta te vendeve të zhvilluara për të mbështetur vendet më të varfra dhe krijimin e një bashkëpunimi paqësor të shoqëruar nga respekti reciprok midis kombeve. Bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar është parakusht për një paqe të qëndrueshme botërore.
   Integrimin rajonal dhe atë global e shohim si kusht të prosperitetit më të shpejt. Përpjekjet e PSD për forcimin e procesit të integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare janë pjesë e përgjegjësisë tonë politike ndaj gjeneratave të sotme dhe të ardhme të qytetarëve të Kosovës, por edhe kontribut i stabilizimit të rrethanave të ndjeshme në pjesën tonë të Evropës.

Ambienti i shëndetshëm

   Ne angazhohemi për kualitet jetësor të qytetarëve. Për ruajtjen e mjedisit dhe ambientit, si dhe për konservimin dhe shfrytëzimin social të resurseve natyrore në Kosovë. Vendi ynë është jeta jonë.
   Teknologjia e re duhet të siguroi mbrojtjen e mjedisit dhe të evitoi çdo punë të rrezikshme dhe të dëmshme për shëndetin e punëtorëve dhe ambientin tonë jetësor.

Qasja tjetër politike

   PSD-ja beson në potencialin e Kosovës dhe i shtrinë dorën e partneritetit qytetarit të Kosovës për zgjidhjen e problemeve dhe tejkalimin e sfidave që e preokupojnë. Rritja e mirëqenies kërkon një qasje ndryshe të politikës ndaj problemeve, një qasje me njerëz dhe jo mbi njerëz. Problemet me të cilat ballafaqohemi kërkojnë qasje serioze, profesionale dhe gjithëpërfshirëse.        Çdo qasje e diferencimit, oligarkisë, injorante, klanore dhe diskriminuese, do të dëmtoi të ardhmen e vendit tonë, të shtetit për të cilin kemi luftuar me breza dhe që duhet ta gëzojmë bashkërisht me pasardhësit tanë.
   Kosovës i duhen ndryshime thelbësore që të realizohet sundimi i drejtësisë. Në vend të pushtetit të korruptuar do të ndërtojmë pushtet të ndershëm në dobi të gjithë qytetarëve. Qëllimi ynë është kthimi i besimit të qytetarëve në pushtet dhe mënyra e vetme e realizimit të këtij qëllimi është përgjegjësia e pushtetit ndaj qytetarëve.
   PSD është e gatshme të merr përgjegjësinë për drejtim të ri të shoqërisë.

Demokracia brenda partisë

   Demokracia brenda partisë, përfshi edhe grupimin në baza interesi dhe fraksionet, është fuqia themelore për punën tonë, ndërsa lufta e mendimeve është rrugë e vetme drejtë politikës dhe vendimeve partiake. Transparenca e punës është mënyra jonë themelore e dhënies së llogarisë para anëtarëve, aderuesve, simpatizantëve dhe të gjithë qytetarëve.
   Ndershmëria dhe përkushtimi qëllimeve të PSD paraqesin kriteret më kryesore. Në jetën partiake do të aplikojmë dhe ndërtojmë normat më të larta morale si bazë e moralit të ri politik, kundrejt dyfytyrësisë, pandershmërisë dhe lakmisë personale.


PROGRAMI I PARTISË SOCIALDEMOKRATE

Synimet e PSD

   Ne dëshirojmë Kosovën e sigurisë, solidaritetit dhe prosperitetit. Kjo është nevojë e jona e domosdoshme, nevojë e familjeve tona dhe e gjithë neve veç e veç. Realizimi i këtij qëllimi është detyrë kryesore e socialdemokracisë. Ky është qëllimi i veprimit tonë politik.
   Kosova e sigurt, solidare dhe e prosperuar – është Kosova në të cilën mund t`i realizojmë aftësisë tona të punës dhe ato krijuese dhe me besim të shikojmë në të ardhmen tonë individuale e të përbashkët të zhvillimit stabil ekonomik, të demokracisë së fuqizuar, sundimit të drejtësisë, standardit evropian të jetesës së qytetarëve të Kosovës. Detyrë e pushtetit demokratik është të ndihmoi, përkrahi dhe mbrojë qytetarët e saj në realizimin e perspektivës së tille.
   Solidariteti dhe drejtësia në botën e punës, nxitja e ndërmarrjes dhe përgjegjësia e pronës, shanset për shkollim dhe arsimim, ndihma në realizimin e sigurisë së banimit të familjeve dhe individëve, mbrojtja e shëndetit si kujdes i shtetit, rinia pa brenga dhe pleqëria dinjitoze, kujdesi i shoqërisë për të dobëtit dhe të pambrojturit, respekti ndaj tjerëve dhe të atyre që dallojnë nga ne si begati e shoqërisë, përbën thelbin e programit të PSD për Kosovën moderne.
   Pushteti që nuk është i ndjeshëm ndaj çështjeve sociale, nuk është i drejtë dhe solidar, nuk siguron perspektivë. Ai sundon mbi qytetaret, por jo me qytetaret. Pushtetet e deritashme nuk kanë arritur të sigurojnë qeverisje në dobi të gjithë qytetarëve, por më shumë në dobi të zyrtarëve partiak dhe të klientëve të tyre.

   Tiparet

   PSD është parti politike e qytetarëve të lirë e cila u ofron qytetarëve aderim pa dallim race, moshe, gjinie dhe feje. Ajo ka për synim të jetë vatër e aktivitetit politik dhe e bashkimit rreth këtij programi të punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve, e pronarëve të cilët kanë ideal krijimin e shoqërisë demokratike në të cilën spikatet barazia, drejtësia, solidariteti dhe aspirohet realizimi i idealit kombëtar.
   PSD është parti e së majtës që për model ka partitë simotra të Evropës. Në spektrin politik të Kosovës është e rreshtuar në qendrën e majtë dhe pretendon të jetë alternativë e pranueshme për shtresat më të gjëra të shoqërisë dhe në koalicion me qytetarin, nëpërmjet veprimtarisë legale e parlamentare synon të qeverisë vendin.
   Synim kryesor i PSD-së është shndërrimi sa më i shpejtë i vendit në një shoqëri të zhvilluar ekonomikisht dhe moderne duke respektuar veçoritë historike e kulturore të popullit tonë.

PSD - sistemi politik dhe rendi kushtetues

   PSD respekton rendin kushtetues të Kosovës dhe punon për fuqizimin e tij. Ajo angazhohet për respektimin e parimit që pushteti politik të buroi nga populli dhe të ushtrohet nga organet e zgjedhura me votën e lirë. Synojmë  t`ja kthejmë kuvendin popullit ashtu që me kushtetutë do të garantojmë, që deputetit të cilin e ka zgjedhë populli për përfaqësues të vetin t`i takoi mandati kuvendarë. Me ligj do të ndalojmë bartjen e mandatit të popullit në kreun partiak.
   Shteti partiak më nuk guxon të jetë fati ynë! Ajo është shkaku i padrejtësisë gjithnjë e më të madhe dhe krizës gjithnjë e më të thellë, nga e cila mund të dalim vetëm me reformë, duke ndryshuar pushtetin e tashëm autokratik me atë demokratik – popullor. Na është e qartë të gjithëve se ato parti dhe udhëheqës politik, të cilët na kanë sjellë në këtë krizë, nuk kanë forcë, vullnet, e as dije që të na nxjerrin nga ajo, por na shtyjnë gjithnjë e më thellë në humnerë dhe në rrugë pa dalje.
   Kuvendi popullor është shndërruar në cirkus politik me të cilin dirigjojnë shtabet partiake, e të cilët e ngarkojnë buxhetin. Deputetet e tashëm të popullit nuk janë njerëz me integritet të cilët lirisht shprehin qëndrimet e veta, por të dëgjueshëm të partive të tyre dhe leva të makinerisë votuese.

Të drejtat dhe liritë qytetare

   Socialdemokracia themel të shoqërisë e  konsideron qytetarin e lirë së bashku me interesat e tij shoqërore, kulturore, materiale dhe intelektuale. Ajo udhëhiqet nga parimet e barazisë qytetare dhe tolerancës. Shtylla të shtetit konsiderojmë ligjshmërinë, sistemin demokratik shumëpartiak - parlamentar, lirinë e individit për t`u zhvilluar, lirinë e mendimit dhe të shprehjes së opinionit, të besimit, të drejtën për integritet personal dhe jetë e pronë private të pacenueshme. PSD ndër të drejtat elementare sheh edhe lirinë e shtypit, grupimit, mbledhjeve, të demonstrimit publik dhe veçmas të organizimit sindikal.
   PSD angazhohet për respektimin rigoroz të drejtave të njeriut nga forcat e zbatimit të ligjit – policia, gjykatësit, prokuroret dhe të tjera forca të tilla, duke insistuar që në të gjitha rastet t`i zbatojnë ligjet dhe konventat mbi të drejtat e njeriut.

Shteti ligjor

   PSD angazhohet për konsolidimin e shtetit ligjor të bazuar në kushtetutë dhe ligje të vendit, por, edhe në aktet ndërkombëtare. Për këtë arsye socialdemokratet angazhohen për përcaktimin e qartë të drejtave dhe lirive të njeriut, pozitën e individit në shoqëri dhe të raporteve të qytetarit me shtetin.
D            o të luftojmë që të rrallojmë pyllin e tashëm të akteve nënligjore, si dhe të ligjeve, të thjeshtojmë procedurat e shtrenjta dhe të ndërlikuara, t`i heqim të panevojshmet që t`u mundësojmë qytetarëve që më lirë, më shpejtë dhe me efikasitet t`i realizojnë të drejtat e veta. Do të detyrojmë me insistim organet shtetërore që të veprojnë me efikasitet. Tashmë po e shohim sa shtrenjtë po e paguajmë mosrespektimin e ligjit, me shkallë të lartë të korrupsionit, me gjendje të pasigurisë së përgjithshme, anarkisë dhe pa përgjegjësi të burokracisë.
   Administrimi i drejtësisë duhet të bazohet në procese publike në të gjitha shkallët dhe nëpërmjet pjesëmarrjes së lirë në procesin juridik.

Barazia para ligjit

   Gjendja e gjyqësisë në Kosovë karakterizohet me mungesë të sigurisë juridike. Kriza e sistemit gjyqësor vërehet në zvarritje dhe jo efektivitetin e pushtetit gjyqësor, që si pasojë gjyqësori nuk po arrin të plotësoi detyrat që i besohen me Kushtetutë dhe ligje.
   PSD kërkon që të ndryshohet kjo gjendje, duke përfshi edhe ndryshimin e ligjeve ekzistuese me çka synohet të shpejtohen procedurat dhe të zvogëlohen lëndët e pazgjidhura në gjykata. Ligjet duhet të sigurojnë profesionalizëm, paanësi dhe pavarësi të gjykatave me çka sigurohet edhe trajtimi i barabartë i qytetarëve.
   Profesionalizmi dhe përgjegjësia për punë janë kyçe për reformë në gjyqësi. PSD angazhohet për reformë të mënyrës së zgjedhjes së gjyqtarëve dhe avokatëve dhe për sistemin e vlerësimit të punës dhe përgjegjësisë së tyre për punë, ashtu që vërtetë të vendoset sistemi i kontrollit reciprok të pushtetit ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Pluralizmi

   Grupet e interesit të organizuara në parti politike janë element i domosdoshëm proceseve politike dhe i zhvillimit të demokracisë. Socialdemokracia mbështetë pluralizmin e mendimit, të ideve dhe të veprimit në shoqëri dhe kërkon që mes tyre të krijohen raporte të tolerancës, mirëkuptimit dhe të respektit. Rruga e zgjidhjes së problemeve dhe e prosperitetit të një vendi kalon përmes dialogut, bashkëpunimit, tolerancës dhe pajtueshmërisë së forcave politike. Pajtimi është i domosdoshëm për ruajtjen e vlerave demokratike dhe konsolidimin e shtetit ligjor e të ekonomisë së tregut të lirë. Ai është i domosdoshëm për arritjen e unitetit për pikat vitale politike të shtetit. PSD kundërshton çdo alternativë me karakter racist, diktatorial, jokombëtare dhe luftënxitëse. Ajo është për një shoqëri të zhveshur nga çdo lloj shtypje, diskriminimi dhe pabarazie sociale.
   Brenda shoqërisë shumëpartiake PSD lufton për të pamundësuar dhe shmangur dukuritë negative sociale që sjellin pasoja si: krimi i organizuar, terrorizmi, degradimi dhe shkatërrimi i pasurive natyrore, ndotja e ambientit jetësor, degradimi i vlerave shpirtërore, degjenerimi moral, përhapja e drogës dhe prostitucionit.
   PSD do të ndjek rrugën e bashkëpunimit me partitë politike dhe me të gjitha forcat progresive të shoqërisë civile.

Demokratizimi dhe normat brenda Partisë

   Demokratizimin e vazhdueshëm të raporteve brenda partisë, përfshi edhe grupimin në baza interesi dhe fraksionet, i konsiderojmë si forma që fuqizojnë aktivitetin dhe punën tonë. Shprehjen e lirë të pikëpamjeve dhe të mendimeve e shohim si rrugë më të mirë për inicim të debateve dhe të arritjes drejtë vendimeve të vlefshme dhe të arsyeshme të politikës partiake. Transparenca në punë siguron mbështetjen më të gjerë të anëtarësisë dhe është mënyra jonë themelore e dhënies së llogarisë para anëtarëve, aderuesve, simpatizantëve dhe të gjithë qytetarëve.
   Ndershmëria në punë, angazhimi për realizim me përkushtim të qëllimeve të PSD paraqesin kriterin kryesore të vlerësimit dhe të avancimit si brenda strukturave partiake ashtu edhe në jetën politike. Për këtë qëllim do t`i mbesim konsekuent respektimit të normave të larta morale, kundrejt devijimeve  të mundshme për të realizuar lakminë dhe interesat personale.
   Anëtaret e PSD do të ndajnë fatin e popullit, dhe jo të keqpërdorin besimin e tij me qellim të pasurimit personal dhe sigurimin e privilegjeve. Me rigorozitet do të evitojmë konfliktin e interesave, nepotizmin dhe devijimet morale.
   Anëtarësinë dhe udhëheqësit e PSD i bëjnë përfaqësuesit e grupeve më të llojllojshme shoqërore: të grave, të rinjve, pensionistet, pra, bujqit, ndërmarrësit privat, punëtorët, intelektualët, artistët, shkencëtarët dhe të pa punësuarit, në mënyrë që sa më mirë dhe drejtë për së drejti të theksojnë problemet e kategorive të popullsisë që u përkasin dhe të gjejnë mënyra që ato të zgjidhen.

Zgjedhjet e lira

   Është e domosdoshme që me kushtetutë të përcaktohen dhe garantohen parimet e rregullimit parlamentar dhe të vendosen themelet e sistemit demokratik zgjedhor.
   PSD e konsideron zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të fshehta, të drejtpërdrejta e shumëpartiake me procedura të rregullta demokratike në bazë të Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, si postulat të domosdoshëm për shtet demokratik. PSD është për ligj zgjedhor që realizon përfaqësimin e forcave politike në organet e pushtetit qendror dhe lokal, në përpjesëtim me votat reale të fituara.
   PSD do të kërkoi që për çështje madhore të organizohen referendume konsultative. Qeveria të emërohet nga Kuvendi i zgjedhur me zgjedhje të lira dhe të drejtoi vendin mbi parime të qeverisjes parlamentare.  


Ndarja dhe pavarësia e pushteteve

   PSD këmbëngul në forcimin e rendit demokratik shtetëror me ndarje të qartë të pushteteve në atë ligjdhënës, gjyqësor dhe ekzekutiv. Pavarësia, ndarja dhe mëvetësia e pushteteve janë kusht për themele demokratike të shoqërisë. PSD insiston që ushtrimi i të gjitha veprimeve qeveritare të bëhet vetëm në baza të Kushtetutës e të ligjeve të mbështetura mbi te.
   Pavarësinë e organeve gjyqësore e shohim si garanci të fortë për sundim të ligjit dhe të sistemit politik e të shtetit demokratik.
   PSD e mbështetë fort parimin që çdo institucion i pushtetit ekzekutiv në shoqëri demokratike duhet t`i nënshtrohet mbikëqyrjes së organeve përfaqësuese të popullit dhe opinionit më të gjerë. 

Shoqatat, partitë dhe shteti

   Demokracia politike nuk mund të funksionoi pa shoqëri të zhvilluar civile, pa ekzistimin e shoqatave, shoqërive dhe organizatave si institucione të pavarura të qytetarëve. PSD angazhohet për lehtësimin e krijimit dhe të veprimit të shoqatave të qytetarëve, për veprimin e tyre në harmoni me ligjet, por edhe për mbrojtjen e tyre nga ndikimi i pushtetit.
   Ekzistimin e shumë partive, si dhe dialogun e tolerancën mes tyre i shohim si parakushte të domosdoshme të demokracisë dhe të pluralizmit real politik.
   PSD insiston në ndarjen e qartë të veprimtarive shtetërore nga ato partiake, si kusht për funksionim të shtetit ligjor. Konsiderojmë të domosdoshëm depolitizimin e të gjitha institucioneve shtetërore, të drejtësisë, politikës së jashtme, e sidomos depolitizimin e institucioneve të mbrojtjes, të ruajtjes së rendit, të Agjencionit të Inteligjencës dhe  të medieve publike.  

Administrata

   Administrata publike duhet të funksionojë vetëm në bazë të ligjit. Ajo duhet të jetë nën kontrollin demokratik dhe të funksionojë në mënyrë transparente e te hapur ndaj publikut.
   PSD konsideron të domosdoshme krijimin e një administrate shtetërore të aftë, kompetente, të pa korruptuar, të avancuar në aspekt operativ, të zhveshur nga burokratizmi dhe që funksionon në bazë të ligjeve përkatëse të shtetit. Ajo si kriter bazë për politikën e kuadrove e sheh aftësinë profesionale dhe cilësinë individuale të secilit drejtues e nëpunës të administratës. Respektimi i konkurrencës më rastin e punësimit dhe emërimit të kuadrove të jetë vetëm në funksion të vlerësimit të drejtë të aftësisë dhe potencialit intelektual që kështu t`i prehet rruga subjektivizmit, politikave personale dhe nepotizmit, dukuri që në masë të madhe karakterizojnë gjendjen ekzistuese.
   Në këto rrethana shtrohet pyetja, pse atëherë qytetaret e Kosovës, obliguesit tatimor të cilët me mund i fitojnë të ardhurat e tyre dhe nga ato pak të ardhura paguajnë ngarkesat e shumta të shtetit, me çka paguhen të gjitha pagat, privilegjet dhe mëditjet e burokracisë?  Sipas numrit të ministrive Kosova është ndër të parat në botë. Mund të paramendohet kjo situatë kur vende si Gjermania p.sh. me popullsi shumëfish më të madhe, me gjithë atë potencial ekonomik, ka dy fish më pak ministri! Qeveria vetëm flet për zvogëlimin e numrit të ministrive, por, nuk bën asgjë. Ky numër i mbingarkuar i administratës është i pa përballueshëm për taksapaguesit e Kosovës.
   PSD me kushtetutë dhe ligjin për qeverinë do të zvogëloi numrin e tashëm të ministrive, do të fus obligimin e shkallës së caktuar të arsimimit dhe të përvojës së punës të ministrave dhe të funksionarëve tjerë, si dhe obligimin e pranim – dorëzimit të detyrës me rastin e ndërrimit të ministrave dhe drejtuesve. Edhe pse ka kushtetutë, Kosova nuk është shtet kushtetues. Kushtetuta jonë nuk ka buruar nga vullneti i popullit dhe nuk mund të bëhet themel i shtetit stabil dhe të drejtës. Rrugën drejt shtetit kushtetues duhet ndërtuar. Për këtë qellim PSD krahas respektimit të gjitha interesave shoqërore dhe angazhimit të forcave profesionale, krijuese dhe politike, do të bëjë të mundur që Kosova të fitoi kushtetutën e re. Kushtetuta e re do të jetë themel i reformës së shtetit dhe ajo pushtetin do ta vendos nën kontroll të ligjeve.

Pushteti vendor

   Me reforma kushtetuese dhe ligjore do të forcojmë vetëqeverisjen lokale. Dëshirojmë të afirmojmë atë si formë më të lartë të decentralizimit të pushtetit dhe qeverisjes. Synojmë që gjithë çka mund të zgjidhet në nivel më të ulët, në atë nivel edhe të zgjidhet.
   Si PSD synojmë bartjen e autorizimeve dhe të mjeteve shtesë në vetëqeverisjen lokale nga lëmi i shkollimit, mbrojtjes primare shëndetësore dhe sociale, pastaj decentralizimin e qeverisjes me infrastrukturën (rrugët, rryma, uji etj.). Komunave duhet t`u sigurojmë të drejtën për pronë. Do të zhvillojmë sistemin e shpërndarë të vetëqeverisjes lokale, në të cilin ndikim të fuqishëm do të kenë kuartet e qyteteve, vendbanimet, fshatrat dhe komunat. Do ta shpushtetëzojmë shtetin nga këto funksione dhe punë të cilat janë më të përshtatshme për vetëqeverisje lokale. Do të zhvendosim organet e administratës shtetërore dhe të ministrive si dhe do të zbatojmë riorganizimin e tyre me qëllim të zvogëlimit të tyre, me çka do të evitojmë organet e pushteteve paralele.
   Socialdemokratet konsiderojnë të pa zëvendësueshëm rolin e pushtetit vendor – lokal në qeverisje. Ky pushtet duhet të ushtrohet nga përfaqësuesit e zgjedhur të cilët drejtë për së drejti janë përgjegjës para banorëve të tyre në ato njësi territoriale të organizimit. Autonomia nënkupton edhe pavarësinë në vënien e taksave. Prandaj, duhet siguruar dhe përsosur bazën ligjore që kjo qeverisje të funksionoi ashtu që të garantoi pjesëmarrjen e qytetarëve dhe të shoqërisë civile në marrjen e vendimeve.
   Organet e pushtetit vendor kanë përgjegjësi për zhvillimin dhe administrimin e çështjeve ekonomike e sociale që përfshihen në territorin e njësive përkatëse. Administrimi duhet të jetë efecient dhe shfrytëzimi i resurseve të vendit të jetë i përqendruar në rritjen e punësimit dhe të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve.
   PSD angazhohet për bashkëpunim korrekt të pushtetit qendror dhe atij lokal, bashkëpunim që garanton trajtim të barabartë për të gjithë qytetaret. Asnjë regjion nuk guxon të lehet pas dore.

Besimi

   PSD angazhohet për respektimin e lirisë së ndërgjegjes. Për te botëkuptimi nuk mund të futet në korniza ideologjike të njëanshme e as t`i mohohet askujt ky vullnet. Pra, PSD njeh lirinë e besimit fetar, si dhe të komuniteteve e institucioneve fetare dhe respekton të drejtën për t`ju përmbajtur botëkuptimit ateist.
   Marrëdhënia e shtetit ndaj fesë duhet të jetë në suaza të parimeve demokratike mbi lirinë e besimit. Praktikat fetare duhet të jenë vullnetare.

Minoritetet

   PSD është për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe të ligjshme për të gjithë ata që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës. PSD respekton në mënyrë rigoroze të drejtën e pjesëtarëve nga minoritetet për arsim në gjuhë amtare, ushtrim të kulturës së tyre, si dhe të drejtën për komunikim dhe organizim politik etj., si shtetas të Kosovës, pa asnjë lloj diskriminimi.

Rendi dhe qetësia publike

   PSD angazhohet për shtet ligjor në përputhje me konceptin bashkëkohor, për vendosjen e rendit publik të aftë për të realizuar zbatimin rigoroz të ligjeve.
   Aftësia e shtetit, sidomos e pushtetit, që të zbatoi politikën dhe ligjet është kusht kyç për zhvillim ekonomik dhe social, për investime të reja të kapitalit, për përkrahje dhe ndihmë të bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht BE. Prandaj, qeveria jonë do të bartë përgjegjësinë e plotë për funksionimin e aparatit shtetëror dhe të institucioneve të sistemit në kompetencë të saj. Me këtë nënkuptojmë aftësinë dhe përgjegjësinë për të siguruar jetën dhe liritë e të drejtat e njeriut për çdo qytetar të vendit. Për këto qëllime PSD angazhohet për forcimin e vazhdueshëm të bazës ligjore dhe shtim të disiplinës e përgjegjësisë së organeve të ruajtjes së rendit.

Mbrojtja e vendit

   Siguria e Kosovës duhet të jetë e mbështetur në pajtim me interesat kolektive të sigurisë, por brenda këtij rendi, Kosova duhet të gjej dhe të dëshmoi vendin e vet. Do të angazhohemi për rol aktiv në harmonizimin e interesave tona me faktorët kryesor botëror të sigurisë dhe qartësisht të definojmë interesin e sigurisë tonë brenda regjionit dhe rrethanave e mundësive tona. Rrethimi regjional  i Kosovës është ende jostabil kështu që interesin e Kosovës e shohim në përkrahjen e të gjitha forcave të paqes dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, krahas zhvillimit adekuat të forcës tonë të sigurisë. Kjo nënkupton modernizimin, zhvillimin dhe harmonizimin e forcave me rendin euroatlantik të sigurisë që është i lidhur me perspektiven e sigurisë së përgjithshme të botës demokratike dhe të sigurisë së drejtpërdrejtë në regjion. Forcat mbrojtëse nuk guxojnë të ndahen nga rendi dhe mbikëqyrja demokratike jo vetëm për shkak të mundësisë së keqpërdorimit, por edhe për arsye se ato duhet t`i kontribuojnë zhvillimit të vendit si shtet ligjor dhe demokratik. Në to nuk guxon të ketë vend për ngjyrime ideologjike, politizime ose përkrahje të partisë së caktuar politike apo individëve.
Jeta, organizimi dhe edukimi në radhët e forcave të mbrojtjes duhet të jetë në funksion të misionit fisnik të mbrojtjes së atdheut. Për këtë qëllim këto forca kërkojnë organizim dhe pajisje konform standardeve perëndimore dhe vendosjen e njerëzve të aftë në to.
   PSD mbështet integrimin e Kosovës në NATO dhe është për të dhënë kontribut në kuadër të kësaj organizate në rajon dhe në botë.  

Politika e jashtme

   Përpjekjet e PSD për forcimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në rrjedhat integruese ndërkombëtare janë përgjegjësi e jona politike ndaj gjeneratave të tashme dhe të ardhme të qytetarëve, por edhe kontribut për stabilizimin e rrethanave ekzistuese në këtë pjesë të Evropës. PSD angazhohet për politikë të jashtme aktive dhe konsekuente që objektiv kryesor ka mbrojtjen e interesave të vendit, të pavarësisë, të integritetit territorial dhe shpejtimin e integrimit në strukturat evropiane dhe euroatlantike, bashkëpunimin rajonal, zhvillimin e marrëdhënieve prioritare me SHBA, me vendet e BE, si dhe me të gjitha vendet tjera që aspirojnë paqen e sigurinë. Integrimi i këtillë do të nxisë edhe zhvillimin ekonomik, por edhe avancimin e përgjithshëm e demokratik të vendit.

Çështja kombëtare

   Kosova me luftën çlirimtare dhe sakrifica të mëdha ka arritur pavarësinë dhe është në fillim të vendosjes së ekonomisë së tregut dhe të demokracisë parlamentare, por, viktimat dhe përpjekjet e tërë popullit të saj, kanë mbetur të pa realizuara në tërësi. Përkundër këtyre arritjeve të mëdha çështjet kombëtare mbeten tejet të ndjeshme në vend dhe kërkojnë përgjegjësi në çdo vendosje.
   Mënyra e deritashme e qeverisjes së shtetit, mungesa e vizionit dhe përgjegjësisë, pandjeshmëria e pushtetit ndaj problemeve sociale, korrupsioni, shtresimi gjithnjë e më i madh i shoqërisë dhe rritja e varfërisë nga një anë dhe pasurimi i marramendës i pakicës së privilegjuar, të lidhur ngushtë me korrupsionin dhe krimin e organizuar, nga ana tjetër, rrezikojnë themelet e shtetit.
   PSD konsideron se çështja nacionale në Kosovë është çështje e gjithë popullit. Ajo, po ashtu, konsideron detyrë themelore të saj mbrojtjen e lirisë, pavarësisë, të sovranitetit dhe të interesave të gjithëmbarshme të popullit të Kosovës. Zgjidhjen përfundimtare të çështjeve kombëtare në Kosovë, e veçmas atë të çështjes kombëtare shqiptare e shohim në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Kosova shtet i integruar

   Kosova është një vend evropian për nga përkatësia gjeografike, historike, kulturore e shpirtërore. Ajo synon të bashkohet edhe në mënyrë institucionale me Evropën e zhvilluar e demokratike. PSD do të ndërmerr dhe përkrahë çdo reformë që synon arritjen e standardeve që do të ndikojnë në përshpejtimin e integrimit të plotë të saj në BE. Ne synojmë ndërtimin e Kosovës si një shtet konstruktiv që angazhohet për stabilitet në rajon, shtet që reflekton energji pozitive jeton në paqe me vetveten dhe të tjerët.
   Integrimin e konsiderojmë çelës për mbizotërimin e paqes dhe bashkëpunimit.
   PSD është për zgjerimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet tjera, në përputhje me orientimin dhe synimet strategjike të politikës së jashtme aktive e paqësore. Marrëdhëniet me vendet e BE dhe posaçërisht me SHBA-në do të jenë në qendër të vëmendjes. Po ashtu, marrëdhëniet e ngushta e miqësore me Turqinë, si dhe me fqinjët tjerë të afërt, që kanë dalë nga ish Jugosllavia dhe vendet e rajonit, janë prioritet i politikës së jashtme të PSD.
   PSD është e bindur që, në perspektivën historike, normalizimi i marrëdhënieve dhe vendosja e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, paraqet çelësin e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe është kusht për përfundimin e integrimeve Evropiane. Për këtë arsye PSD do të veproi në drejtim të: forcimit të bashkëpunimit regjional, forcimin e pozitës së Kosovës në regjion, si dhe vendosjen e dialogut parimor reciprok shqiptaro-serb dhe të bashkëpunimit.

Integrimi i Kosovës

   Integrimi i qytetarëve të Kosovës në shtetin e ri është sfidë e institucioneve shtetërore. Nga suksesi i kësaj politike do të varet edhe siguria dhe paqja e qytetarëve tanë. Ne angazhohemi për një politikë më efektive dhe më tolerante e cila do të integroi të gjithë qytetarët dhe rajonet e Kosovës. Integrimi i rajoneve dhe qytetarëve nuk nënkupton vetëm integrimin e minoriteteve në strukturat shoqërore dhe strukturat shtetërore, por integrimin e të gjithëve. Ne jemi kundër çdo ndarje në baza rajonale, fisnore a klanore në Kosovë. Kosova është vendi i të gjithëve dhe do të angazhohemi që të gjithë qytetarët të ndjehen të barabartë në këtë vend. Kundërshtojmë çdo ndasi. Kosova është e të gjithëve dhe të gjithë kanë të drejtë të ndjehen njëlloj krenar për vendin.

Integrimi i territorial

   Ne do të angazhohemi për integrim territorial të Kosovës. Nëse shteti i Kosovës nuk e shtrinë pushtetin e tij në tërë territorin, nuk do të ketë paqe për te dhe qytetaret nuk do të kenë siguri. Ne angazhohemi për një politikë preventive dhe konstruktive të shtetit me qëllim të sigurimit të territorit të Kosovës.
   Të gjithë qytetarët, përfshi edhe të gjitha komunitetet, janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të gëzojnë sigurinë e jetesës e të pronës së tyre në këtë vend. Për këtë qëllim Kosova duhet të ushtroi pushtetin e vet në vend, në mënyrë që t`u siguroi qytetarëve të saj jetën dhe prosperitetin. Shteti që nuk e ushtron tërë pushtetin në territorin e tij nuk është shtet sovran. Kosova e ndarë nuk do të ketë të ardhme të qetë.

Integrimi i minoriteteve

   Ne do të angazhohemi për një bashkëjetesë ne paqe dhe mirëqenie më të gjitha komunitetet. Të gjitha minoritetet e Kosovës janë pjesë e shtetit të Kosovës dhe ata duhet të jetë në të barabartë me të gjithë qytetarët tjerë të shumicës. Diskriminimi në baza nacionale është i dëmshëm për shtetin tonë. Secili në Kosovë duhet të ketë të drejtën e lëvizjes së lirë, të punës, të arsimimit, zhvillimit ekonomik, lirisë së shprehjes dhe lirisë fetare. Shteti ynë duhet t`i garantoi këto të drejta themelore për të gjithë qytetaret e Kosovës.
   Integrimi i të gjitha pakicave në jetën tonë publike të përditshme dhe ne institucionet e Kosovës duhet të bëhet përmes dialogut, tolerancës bashkëjetesës dhe bashkëpunimit.

Integrimi gjithëkombëtar

   Krahas punës në integrimin e shoqërisë Kosovare ne do të mbështesim edhe integrimin gjithëkombëtar. Ne jemi të bindur se nuk mund të ketë integrim evropian të shqiptarëve pa u bërë integrimi shumëdimensional brendakombëtar qoftë ai ekonomik, kulturor, infrastrukturor etj., dhe konsiderojmë së ky integrim është në të mirë të gjithëve, në rajon dhe më gjerë.

Integrimi i diasporës

   PSD-ja e vlerëson shumë lartë rolin e diasporës në të gjitha zhvillimet historike të Kosovës dhe e konsideron atë potencial shumë të rëndësishëm për zhvillimin e shtetit dhe urë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe vendeve ku ata jetojnë dhe veprojnë.
   Shteti i Kosovës duhet të jetë mirënjohës për kontributin e këtij komuniteti dhe duhet t`ua krijojë të gjitha lehtësirat që ata të kthehen dhe të investojnë në atdhe dijen, përvojën dhe kapitalin e tyre. Po ashtu shteti i Kosovës, përmes përfaqësive diplomatike, duhet të kujdeset dhe të mbrojë të drejtat e tyre.
   PSD-ja inkurajon fuqizimin e diasporës si komunitet e jo politizimin dhe organizimin e tyre në parti politike. Shpërndarja e tyre nëpër parti dhe degë partish dobëson organizimin e tyre dhe rrezikon identitetin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare.
   PSD angazhohet për marrëdhënie më të mira kulturore më komunitetet shqiptare kudo që jetojnë në vende fqinje apo diasporë. Për vendosje të dialogut demokratik për të gjitha temat e rëndësishme që kanë të bëjë me raportet reciproke. Për informim reciprok transparent, të besueshme dhe me kohë. Për mbrojtje kreative dhe reale të qytetarëve kosovarë që jetojnë jashtë vendit.

Integrimi i gruas

   PSD angazhohet fuqimisht për integrimin e femrës në shoqëri. Ne ofrojmë program që mbështet arsimimin e femrës dhe krijimin e shanseve të barabarta në veprimtari profesionale. Çmojmë kontributin e pa mohueshëm të femrës në shoqëri. Ato meritojnë status shumë më të volitshëm shoqëror.
   Qëllimi ynë është barazia në vendimmarrjen politike në të gjitha nivelet. Bashkëpjesëmarrja aktive dhe e barabartë dhe përfaqësimi i grave është përcaktim yni si në ekonomi, kulturë e shkencë ashtu edhe në lëmi tjera të angazhimit shoqëror.
   Nuk pajtohemi me stereotipet tradicionale dhe opsione politike sipas të cilave femra vlerësohet vetëm në kontest të familjes, por, barazinë e kërkojmë në sferën publike dhe private.
   Angazhohemi për përparimin e pavarësisë ekonomike dhe të sigurisë së femrave si kushte bazike për barazinë e tyre.

Integrimi i kategorive shoqërore me nevoja të veçanta

   PSD do të aranzhohet për integrimin e kategorive të qytetarëve më të meta dhe të kategorive tjera që në forma të ndryshme janë anashkaluar në shoqërinë Kosovare. Këtë do ta bëjmë me ndryshimin e legjislacionit dhe të praktikave.
   PSD posaçërisht do të angazhohet për respektimin e të drejtave të atyre grupeve sociale të cilat nga aspekti i jashtëm, i lindur, i plakur, raca, nacionaliteti ose çfarëdo pozite tjetër të pabarabartë sociale, u nënshtrohen presioneve të shumicës, paragjykimeve, diskriminimit ose lënies anash dhe neglizhimit.

Integrimi në rajon

   Fuqia e rajonit tonë është në partneritet. Pavarësia e Kosovës nuk ishte një sukses i izoluar. Ajo ka transformuar Evropën juglindore përgjithmonë në mënyrë pozitive. Pavarësia ka qartësuar rrugën tonë drejt përparimit të përbashkët drejt një stabiliteti më të madh politik dhe ekonomik, si dhe drejt një vendi me perspektivë në Evropë.
   PSD-ja fuqimisht beson në rëndësinë e rrjetit që shkon përtej kufijve tanë. Ne ndajmë me fqinjët tanë vlera, përvoja dhe potenciale. Çdo qytetar i Kosovës ka miq, familjarë ose vende të rëndësisë kulturore në një nga vendet tona fqinje. Këto vende me të cilat ne e kemi ndarë historinë dhe kulturën janë po ato vende me të cilat ne do ta ndajmë fuqinë ekonomike dhe politike në të ardhmen. Duhet të fokusohemi në projekte rajonale infrastrukturore që do të na bëjnë të gjithëve të jemi më efikas, si dhe në marrëveshje rajonale të tregtisë që do të përmirësojnë bizneset dhe do të ofrojnë vende të punës për të gjithë. Po ashtu, duhet të fokusohemi në aktivitete të përbashkëta politike që do të na e lehtësojnë rrugën drejt anëtarësimit në BE.
   Rajoni ynë do të funksionoi më së miri dhe të jetë më atraktiv për BE-në si një partneritet. Në aspektin ekonomik, politik dhe kulturor, PSD-ja do ta vë Kosovën në vendin e duhur në zemrën  e Evropës Juglindore.

Integrimi në NATO dhe organizatat ndërkombëtare

   Pavarësia e Kosovës na ka sjellë mundësi dhe përgjegjësi të reja. PSD-ja beson së Kosova do ta luaj rolin e saj të duhur në botë si shtet anëtar me të drejta të plota i organizmave ndërkombëtare.
   PSD-ja beson së pavarësia e Kosovës dhe shteti i ri i Kosovës është një sukses i përbashkët i popullit të Kosovës dhe OKB-së. OKB-ja dhe vlerat fondamentale të Kartës së OKB-së, duhet të jenë udhërrëfyes i Kosovës. Anëtarësimi në OKB është një përfundim i natyrshëm i rrugëtimit tonë. Pa këtë anëtarësim, Kosova nuk gëzon të drejtat e saj të plota. Pa Kosovën as OKB-ja nuk reflekton plotësisht botën e sotme.
   Institucionet tona janë ndërtuar në partneritet me NATO-n. NATO ka qenë aleati i Kosovës dhe Kosova është aleati i NATO-s. PSD-ja beson që Kosova duhet të luaj rolin e saj si pjesë e bashkësisë së kombeve që punojnë për paqe dhe stabilitet në botë. Besojmë së Kosova është kompatibile me NATO-n dhe pretendojmë që të jemi kontribuues në te. Anëtarësimi në NATO është një hap i natyrshëm për Kosovën. Kjo është edhe detyra e jona.
   PSD-ja gjithashtu është e vetëdijshme për rëndësinë e diversitetit të organizatave dhe shoqatave të tjera ndërkombëtare – për sport, kulturë, tregti, komunikim dhe rini. Standardet dhe sistemet tona – për transport, internet dhe zhvillim ekonomik – duhet të rregullohen sipas standardeve ndërkombëtare. Ndihma që e marrim dhe kontributet që i japim duhet të jenë në kuadër të strukturave ndërkombëtare – siç janë Banka Botërore, FMN-ja, BERZH etj. Qytetaret tanë, biznesmenët dhe sportistët tanë duhet të kenë rastin të konkurrojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre në gjithë botën. Qytetaret e Kosovës janë qytetarë të botës.
   PSD-ja do të mundësoi që Kosova të luaj një rol të duhur në organizmat ndërkombëtare. Ne jemi të gatshëm të pranojmë përgjegjësitë dhe të deklarohemi e të luftojmë për mundësitë dhe vizionin e tonë qartazi, në të gjitha institucionet e komunitetit ndërkombëtar.

Integrimi në BE

   Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, gjë për të cilën angazhohemi është qëllim strategjik i Kosovës dhe atyre duhet t`u afrohemi me politikë konsekuente demokratike. Kosova si shtet është dizajnuar sipas parimeve fundamentale të Evropës. Por ne insistojmë që vlerat evropiane, dhe vlerat e socialdemokracisë – demokracia, liria, të drejtat e individuale, përgjegjësia e shtetit dhe përgjegjësia e qytetarit – të mos jenë opsione. Fuqimisht angazhohemi që Kosova të vazhdoi të zë vendin që e meriton në Evropë. Kjo do ta fuqizoi Kosovën në aspektin ekonomik dhe shoqëror. Pa integrimin e Evropës Juglindore, Evropa nuk është e kompletuar. Projekti evropian do të bëhet realitet vetëm atëherë kur Evropa Juglindore me Kosovën në zemër të saj të ketë përfunduar me sukses udhëtimin drejt anëtarësimit në BE.
PSD beson që politikisht jemi më të fuqishëm si pjesë e familjes evropiane. Ne besojmë në integrimin evropian sepse e dimë që ekonomikisht jemi më të suksesshëm si pjesë e rrjetit evropian. Besojmë në integrimin evropian sepse e dimë që në thelb jemi pjesë e kulturës së madhe dhe të vjetër të civilizimit evropian.  
   Për PSD është me rëndësi që në Bashkimin Evropian të hyjë e përgatitur mirë, sepse kjo është e vetmja garanci se mund të përballemi me presionet e konkurrencës të anëtareve të zhvilluara të BE-së. Për këtë arsye theksojmë nevojën e kryerjes së reformave të theksuara të brendshme si kusht për të qenë të aftë të përballemi me kërkesat që na shtrohen.

Marrëdhëniet me partitë simotra

   PSD solidarizohet me të gjitha forcat politike që luftojnë për liri, demokraci dhe përparim shoqëror e veçanërisht me partitë e së majtës botërore evropiane të grupuara në Internacionalen Socialiste. PSD çmon peshën e tyre të madhe në jetën politike të vendeve përkatëse dhe në organizmat e kontinentit. PSD synon anëtarësimin në këto forca, si dhe pret mbështetjen dhe përkrahjen e tyre.

PROGRAMI EKONOMIK

Parimet e përgjithshme

   Objektiv themelor i PSD është transformimi i Kosovës në një vend të zhvilluar i mbështetur mbi parimet e ekonomisë sociale të tregut të lirë. Ajo njeh arritjet e deritashme dhe ka evidentuar të metat e gabimet dhe mbi atë bazë do të punoi për arritjen e shpejtë të efektivave të saj. PSD konsideron së shteti do të ketë rol të rëndësishëm në arritjen e objektivave të transformimit. Por, roli i tij kryesor duhet të jetë ai i rregullatorit. Ai duhet të nxisë iniciativën e lirë, të jetë partner i drejt i biznesit dhe strukturave që sjellin zhvillimin e vendit, duhet të krijoi dhe garantoi ambient të përshtatshëm për zhvillim të biznesit përmes:
   -           Zbatimit të rreptë të ligjit dhe të luftës kundër korrupsionit, kontrabandës, konkurrencës së pandershme, situatave monopol etj.
   -           Hartimit të strategjive e planeve të veprimit afatshkurtra, afatmesme e afatgjata,
   -           Politikave fiskale nxitëse dhe stimuluese,
   -           Administrimit me efektivitet të pronave publike duke i konsideruar ato si rregullator të ekonomisë kombëtare.
   Për përparimin ekonomik të Kosovës PSD konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin ndërkombëtar. PSD mbështet të gjitha lehtësimet e mundshme për integrimin ekonomik të vendeve të rajonit e sidomos të shqiptarëve dhe në këtë kuadër shikon si prioritet marrëdhëniet ekonomike më Shqipërinë.

Kosova shtet i zhvilluar ekonomikisht

   PSD konsideron se Kosova është një vend me potenciale të mjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Mirëpo suksesi i zhvillimit ekonomik varet nga mënyra së si shfrytëzohen këto potenciale dhe nga politikat qeveritare.
   PSD është parti e të majtës moderne evropiane:
               -   e cila lufton për sundimin e punës, në demokracinë ekonomike dhe politike, për pushtet të aftë dhe të përgjegjshëm, për shoqëri të drejtësisë sociale dhe të barazisë politike;
               -   e cila ne emër të punësuarve dhe të pa punëve, punëtorëve dhe fshatarëve, artistëve, të rinjve dhe pensionistëve, ngrihet kundër shoqërisë gjithnjë më të pa drejtë në Kosovë, kundër ndarjes së mëtejshme në klasën e gjithnjë më të pasurve dhe masave gjithnjë më të varfra;
               -   për të cilën dalja nga kriza nuk është në zvogëlimin e mëtejmë të ardhurave dhe rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit të gjerë, por në sistemin më efikas tatimor;
               -   e cila këndelljen dhe përparimin e vendit e sheh në gjallërimin e të gjitha degëve ekonomike, në radhë të parë atyre prodhuese dhe mundësimin që njerëzit të punësohen dhe të jetojnë nga puna e tyre;
               -   e cila do të zbatoi reforma kushtetuese dhe do të përfundoi reformën legjislative, çka do të mundësoi pushtet të autoritetshëm dhe do të hapi rrugë drejt krijimit të shoqërisë së drejtësisë sociale dhe barazisë politike;
               -   e cila pasurinë kryesore e sheh tek njeriu, në aftësitë e tij, shkathtësitë dhe talentin, e jo në mirëqenien materiale, të grabitur në llogari të tjerëve.
Pa rritje të lartë ekonomike nuk ka zhvillim shoqëror, nuk ka siguri të individit e as të vet shtetit. Këtë do ta arrijmë me shtimin e prodhimit të vendit, zhvillimin e shpejtuar të sektorit energjetik, zhvillimin e transportit, sidomos atij hekurudhor, shfrytëzimin racional të resurseve natyrore, me nxitjen e prodhimeve ekologjike dhe ripërtëritjen e burimeve energjetike etj.
   Kosova nuk është në shitje, siç e kanë kuptuar disa, as ajo e as toka e saj, malet dhe fushat nuk duhet të shitën. Ato janë pronë me interes të posaçëm nacional.

Shfrytëzimi i potencialeve të Kosovës

Shfrytëzimi i potencialeve njerëzore

   Kosova është shteti me popullatën më të re në Evropë. Popullata e re është faktor ideal për zhvillim ekonomik. Aç më parë kur një numër i madh i të rinjve kanë studiuar jashtë vendit ose kanë punuar me organizata ndërkombëtare. Por, për fat të keq, rinia në Kosovë është shumë pak e integruar në strukturat politike dhe shtetërore të Kosovës. Kjo duhet ndryshuar. PSD-ja ka objektiv inkuadrimin e rinisë në ekonomi, në politikë dhe administratë publike dhe mobilizimin e potencialit rinor.
   Nga ana tjetër kemi një numër të madh të profesionistëve që nuk janë të inkuadruar fare. Potenciali dhe përvoja e këtyre njerëzve nënçmohet padrejtësisht. Kosova në fazën në të cilën gjendet ka nevojë për çdo njeri kreativ. PSD-ja synon shfrytëzimin maksimal të potencialeve njerëzore të rinjve dhe njerëzve me përvojë profesionale. Ajo nuk do t`i distancoi njerëzit që kanë bindje tjetër politike. Secili person ka të drejtë të ketë bindjen e vet politike dhe të mos sanksionohet për te. Ne do t`i angazhojmë ato potenciale profesionale sepse vendi ka nevojë për to. PSD-ja është parti pa paragjykime dhe parti që mirëpret kontributin e secilit qytetarë për shtetin e Kosovës.

Shfrytëzimi i potencialeve natyrore

   Konsiderojmë së Kosova ka potenciale të mjaftueshme natyrore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Këto potenciale duhen të eksplorohen dhe vitalizohen. Për vitalizmin e tyre duhet hulumtim i resurseve natyrore i bërë nga profesionistët.
   Resurset natyrore duhet të shfrytëzohen në mënyrë racionale. Ne jemi kundër eksploatimit të egër të pasurive natyrore të vendit dhe jemi për një shfrytëzim racional ekonomik të resurseve natyrore në dobi dhe në shërbim të popullit. Andaj insistojmë që shteti t`u ofroi investitorëve mundësi për investime. Në të njëjtën kohë shteti duhet të përkujdeset që edhe Kosova të përfitoi nga ky shfrytëzim, pa i dëmtuar relacionet ekonomike të ndërmarrësit.
   Pozita gjeografike e Kosovës, pasuritë minerale dhe bukuritë magjepse natyrore e favorizojnë zhvillimin e bujqësisë, energjetikës, xehetarisë, industrisë së materialeve ndërtimore dhe turizmit. Kosova është vendi i tretë me rezerva më të mëdha të thëngjillit. Kosova ka klimën ideale për zhvillimin e pemëtarisë dhe bujqësisë dhe ka potenciale të rralla për zhvillimin e turizmit sportiv dimëror, turizmit malor dhe atij rural. Këto potenciale duhet shfrytëzuar.
   Zhvillimi ekonomik do të jetë i mundshëm me një politikë të përgjegjshme, të bazuar në profesionalizëm dhe integrim të potencialeve njerëzore.

Parakushtet dhe prioritetet politike për zhvillim ekonomik

   Parakushtet kryesore për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në Kosovë janë, sundimi i ligjit, ndërtimi i infrastrukturës, rregullimi i sektorit ekonomik, funksionimi i mekanizmave mbikëqyrës, shfrytëzimi i potencialeve natyrore dhe njerëzore dhe arsimimi i kuadrove profesionale.
   Prandaj PSD:
   -   do të zhvilloi strategjinë dhe planet e zhvillimit të shpejtuar ekonomik, shfrytëzimit të pasurive minerare, shtimit të prodhimit industrial, industrisë përpunuese, zhvillimin e bujqësisë dhe fshatit, qëndrueshmërinë ekologjike dhe sigurinë energjetike, si bazë për investime në infrastrukturë, shëndetësi, arsimim, zhvillimin shkencor dhe teknik;
   -   do të përgatis zgjidhje ligjore dhe politikën përkatëse fiskale dhe doganore e cila do të stimuloi investimet në kapacitetet bashkëkohore teknologjike, posaçërisht në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në të gjithë lëmenjtë, e posaçërisht në lëmin e prodhimit të ushqimit, që përshpejton krijimin e brendeve nacionale të pranuara në këto lami;
   -   do përgatis politikën tatimore të tatimit progresiv, aplikimin e tatimit më të lartë në pasuri të mëdha, me çka do të zvogëlohen pabarazitë dhe do të promovohen mundësitë e ngjashme;
PSD do të veproi në bazë të strategjisë afatgjate të sigurisë energjetike e cila përfshinë:
   -   zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për sigurimin e një baze sa më të gjerë të burimit të energjisë;
   -   sigurimin e drejtimeve dhe të burimeve të ndryshme dhe të furnizimit;
   -   sigurimin e energjisë me çmime më të favorshme në bazë të konkurrencës;
   -   shtimin e efikasitetit energjetik dhe të kursimit;
   -   shfrytëzimit të burimeve të përsëritshme të energjisë të cilat nuk e ndotin ambientin, siç është energjia diellore, energjia e erës, biomasa, si dhe shfrytëzimi i energjisë së fituar me riciklimin e mbeturinave, me çka do të arrihet dobia e dyfishtë dhe së fundi në mënyrë sistematike dhe jo vetëm në mënyrë deklarative, do të zbatohet aksioni gjithëpërfshirës i pastrimit të ambientit, selektimit të mbeturinave dhe përpunimit të mëtejmë dhe të shfrytëzimit, në vend të grumbullimit të papërgjegjësi;
   -   shfrytëzimit më efikas të potencialeve energjetike të ujërave me ndërtimin e centraleve elektrike të vogla, dhe me inkuadrimin e të gjitha potencialeve në një sistem unik;
   -   qeverisjen më efiqiente të resurseve energjetike, si dhe krijimin e kushteve për shtimin e investimeve në lëmin e energjetikës;
   -   lidhëmerinë dhe sinkronizimin e politikës energjetike dhe të ndryshimeve klimatike, me qëllim të zvogëlimit të efekteve negative;
   -   pos mbështetjes në burimet vetjake energjetike, vendosja e bashkëpunimit me vendet prodhuese të naftës, të gazit natyror dhe të rrjedhshëm;
   -   inkuadrimi në procesin e definimit të Strategjisë së përbashkët të sigurisë energjetike të BE-së.

Sundimi i ligjit

   Investimet në sektorin privat janë të lidhura ngushtë me gjendjen e sigurisë në vend dhe sundimin e ligjit. Një ambient i sigurt, në të cilin policia dhe gjyqet funksionojnë në mënyrë efikase dhe të pavarur, një ambient kur zbulohet dhe dënohet krimi. Ku shteti e ka situatën nën kontroll dhe të gjithë ata që bien ndesh me ligjin merren në përgjegjësi është ambient i qëndrueshëm për investime.
   PSD-ja është për fuqizimin e institucioneve shtetërore dhe për luftimin e secilit individ ose grup që e sfidon zbatimin e ligjit. Kur flasim për një shtet të fortë, nënkuptojmë një shtet që vet i nënshtrohet ligjit dhe që punon në mënyrë transparente duke mos e keqpërdorur pushtetin.           Sipas nesh pushteti duhet të ndërtohet mbi parimet e demokracisë, transparencës, llogaridhënies dhe jo diskriminimit.

Reformën e pushtetit shtetëror

   PSD do të rishqyrtojmë punën, dhe nëse ka nevojë, do të shpërndajmë të gjithë ata trupa të cilët janë themeluar në kurriz të buxhetit e që janë treguar të padobishëm, si Agjensioni i privatizimit, që është dëshmuar si instrument i privatizimeve jofunksionale ekonomike dhe shoqërore dhe njëkohësisht, do të forcojmë pozitën e agjencionit për luftë kundër korrupsionit, trupit të pavarur për luftë kundër shpëlarjes së parasë etj.
   Po ashtu, do të kufizojmë dhe mbikëqyrim autorizimet e qeverisë  dhe të ministrave që, me akte nënligjore, të rregullojnë materien ligjore dhe kështu të zgjerojnë pushtetin e tyre jashtë suazave kushtetuese e ligjore.

Qeverisja e shëndoshë dhe rregullimi i sektorit ekonomik 

   Zhvillimi ekonomik kërkon edhe qeverisje të shëndoshë. Qeverisje e shëndoshë është qeverisje e cila nuk dëmton ekonominë por e promovon atë. Ekonomia joformale, korrupsioni, favorizimi i ndërmarrjeve të caktuara, jo transparenca e institucioneve shtetërore janë dukuri që e ngufatin dhe klanizojnë ekonominë. Ndikimi i politikës në ekonomi nuk nënkupton që qeveria të përfshihet në ekonomi. Ndërhyrja e qeverisë në ekonomi për qellim përfitimi të ndërmarrjeve ose personave të caktuar është korrupsion, kurse korrupsioni është kancer shoqëror. Qeveria nuk është ndërmarrje private që ka për qëllim profitin ose pasurimin e bartësve të institucioneve. Ajo është institucion i cili ka për qëllim pasurimin e shtetit dhe popullit që jeton në te. Mandati që merr politika nga populli nuk e autorizon klasën politike që të pasurohet. Mandati është përgjegjësia për një jetë më të mirë për qytetaret dhe besimi për menaxhim transparent dhe të ligjshëm të fondeve publike.

   PSD-ja, për këtë arsye angazhohet për:
   -   përfshirjen e forumeve qytetare në politikë-bërje dhe në mekanizmat mbikëqyrës të qeverisjes;
   -   luftë kundër korrupsionit, ekonomisë joformale dhe konkurrencës jo lojale, vënien  para gjyqit të gjithë keqpërdoruesve të fondeve publike dhe heqjen e imunitetit të gjithë bartësve të funksioneve publike dhe shtetërore.
Do të forcojmë pozitën e agjensioneve për luftë kundër korrupsionit dhe do të shpallim luftë kundër shpëlarjes së parasë.

Do të vendosim kredibilitetin e qeverisë:
               - e cila do të ju garantoi dhe siguroi qytetarëve të gjitha të drejtat e përcaktuara nga sigurimi social, shëndetësor dhe penzional, të drejtat nga lëmi i punësimit dhe punës, të drejtën për shkollim, si dhe të gjitha të drejtat dhe liritë tjera ;
               -  e cila nuk do të lejoi që askush të mos mbetet pa punë, jashtë ligjeve normave dhe kritereve të përcaktuara ligjore, si dhe pa mbrojtje përkatëse sociale në rast të pa punësimit;
               -  e cila para qytetarëve dhe Kuvendit të zgjedhur nga populli do të jetë përgjegjëse për çdo moszbatim apo shkelje të ligjeve, ndërsa ministrat e të cilës për gabime dhe lëshime do të japin dorëheqje, do të ndërrohen dhe të japin përgjegjësi;
               -  e cila do të marrë përgjegjësinë për të gjitha ndërmarrjet shoqërore, të evitoi shkatërrimin e mëtejmë dhe stërshitjen pa çmim, dhe e cila nuk do të lejoi që asnjë punëtorë i atyre ndërmarrjeve të mbetet pa punë pa fajin e tij ose pa sigurim të drejtë;
               -  e cila nuk do të guxoi që ndërmarrjet shtetërore dhe publike t`i trajtoi si pronë të partive politike të ministrave të koalicionit qeverisës dhe burim të privilegjeve dhe të ushqimit të anëtarëve të tyre;
               -  e cila do të evitoi çdo korrupsion dhe atë më së pari në radhët e veta, dhe e cila nuk do të lejoi shkeljen jo vetëm të normave ligjore por as të atyre morale për konfliktin e interesave;
               -  e cila do të zvogëloi administratën shtetërore joefikase të shumëzuar nga krerët e partive, ndërsa ministritë dhe agjencitë t`i thjeshtoi në numër të arsyeshëm, që u përgjigjet nevojave dhe mundësive të vendit;
               - e cila me konsekuencë do të respektoi transparencën në punë, si obligim të shenjtë ndaj qytetarëve dhe institucion të pa zëvendësueshëm të kontrollit dhe të përgjegjësisë ndaj punës së qeverisë; 
               -  e cila do të merr përgjegjësinë e plotë për sigurinë e vendit dhe të gjithë qytetarëve të saj dhe të reformoi të gjitha shërbimet e sigurimit në një sistem unik. Në krye të atij sistemi do të qëndroi qeveria me përgjegjësinë e saj para parlamentit dhe qytetarëve;
               -  e cila do të zbatoi masat për zhvillim demografik dhe të udhëheq politikë gjithëpërfshirëse të popullsisë dhe t`i mbrojë gratë nga diskriminimi në procesin e punës dhe të punësimit;
               -  e cila shkuarjen në pension do ta bëjë sa më fleksibile, të zbatoi reformë të themeltë të sistemit të sigurimit pensional dhe të garantoi sigurim penzional;
               -  e cila do të reformoi sistemin e sigurimit shëndetësor dhe ta mbrojtjes shëndetësore, duke forcuar preventivën dhe hequr dallimet në mbrojtjen shëndetësore, e cila do të reformoi shërbimin shëndetësor dhe do të siguroi barazi të plotë të enteve shëndetësore private dhe shtetërore në ofrimin e shërbimeve mjekësore të cilat financohen nga fondet, të cilat do të sigurojnë sigurim solidar shëndetësor që do të ofroi minimumin e mbrojtjes për të gjithë, të garantoi pacenueshmërinë e të drejtës në mbrojtje shëndetësore për të gjitha kategoritë e popullsisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së shëndetësisë në të ardhurat kombëtare;
               -  e cila do të krijoi kushte për realizimin e lirisë së plotë të krijimtarisë dhe zhvillimin e institucioneve të kulturës, për reformën dhe përparimin e veprimit të ministrive dhe trupave drejtuese në lëmin e kulturës, puna e të cilave do të mbështetet në transparencë, profesionalizëm dhe përgjegjësi të këtyre trupave, të cilët do të ngjallin punën e shoqatave kulturore, lidhjeve dhe formave tjera të vendosjes autonome të anëtarëve të bashkësisë kulturore, reformoi sistemin e financimit të kulturës, por edhe me dhënien e lehtësimeve tatimore e tjera atyre të cilët investojnë në art dhe kulturë, të cilat do ta rrisin buxhetin për përparimin e artit dhe kulturës;
               -  e cila në qendër të kulturës do të vendosë krijuesit ashtu që komisionet shtetërore drejtpërsëdrejti do të zgjedhin me konkurs veprat më të mira, si dhe më të mirëve do tu siguroi shtypjen, shfaqjen ose botimin, me çka do ta zvogëlojnë administratën dhe t`i shqyrtojnë kanalet e derdhjes së parasë dedikuar kulturës për punëtorë jo kreativ dhe ndihmës, e cila do të vërtetoi potencialet e të gjitha institucioneve të kulturës për përmirësimin e pozitës së saj ekonomike;
               -  e cila detalisht dhe njëkohësisht do të zbatoi reformën kulturore, arsimore dhe mediatike, e cila vëmendjen e posaçme do t`ia kushtoi statusit të artistëve, të drejtave të tyre të autorit, përmbajtjes së emisioneve të radios dhe TV me vështrim të posaçëm në stacionet me frekuenca kombëtare, të cilat do t`i promovojnë vlerat kulturore të Kosovës ne vend dhe në botë;
               -  e cila do t`i rishqyrtoi programet mësimore në shkollën fillore dhe shkollat e mesme, t`i shkarkoi ato nga lënda e panevojshme dhe të edukoi nxënësit që të dinë të mendojnë dhe vendosin, krijojnë, ndërtojnë, punojnë dhe prodhojnë, përmes punës sa më të madhe praktike;
               -  e cila do të rishqyrtoi privatizimin e mediumeve, do të miratoi ligje përkatëse me qëllim të ngritjes së nivelit gjuhësor, kulturor dhe edukativ;
               -  e cila do të udhëheq politikë të jashtme në funksion të këndelljes ekonomike dhe zhvillimit, si dhe të sigurisë së vendit, të orientoi veprimin e të gjithë pjesëmarrësve në politikën e jashtme drejt rritjes së vëllimit të investimeve të jashtme, forcimin e pozitës ekonomike dhe të autoritetit të vendit në regjion, Evropë dhe në botë;
               -  e cila do të punoi në inkuadrimin e Kosovës në unionin Evropian;
               -  e cila do të veproi në harmoni me strategjinë e sigurimit të sigurisë së plotë të vendit, krijimin e paqes së qëndrueshme e stabile dhe të besimit në regjion, vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe atë posaçërisht me vendet që janë krijuar pas shkatërrimit të Jugosllavisë;
               -  e cila do të merr pjesë në të gjitha iniciativat regjionale të sigurisë, në marrëveshjet për ndërtimin e sistemit të sigurisë kolektive nën kontrollin e OKB-së, dhe të veprimit në drejtim të përparimit dhe të demokratizimit të marrëdhënieve në kuadër të sistemit koorporativ të sigurisë, të partneritetit të sigurisë, duke përfshi edhe marrëdhëniet me NATO-n;
               -  e cila do të rishqyrtoi së çka importohet dhe do të organizoi prodhimin vendor të gjitha të mirave të cilat mund të prodhohen tek ne: drithëra, pemë, perime, si dhe produktet nga përpunimi i tyre etj.;
               -  e cila do të hartoi regjistrin e investimeve prioritare të shtetit në prodhim;
               -  e cila do të rishqyrtoi të gjitha rrjedhat e parasë, si dhe të hyrat dhe shpenzimet e ndërmarrjeve publike.
Në funksion të qeverisjes së shëndoshë ne do ta shqyrtojmë mundësinë e bashkimit të disa ministrive të Republikës së Kosovës në një ministri të vetme.

Arsimimi adekuat

   Ndryshimet në sistemin arsimor duhet të jenë në funksion të shtimit të aftësimit kompetent me qëllim të shtimit të punësimit. Sistemi arsimor duhet orientuar drejt fitimit të profesioneve të reja, të përshtatura tregut aktual dhe të ardhshëm të punës. Duhet zhvilluar programe të reja arsimore të mbështetura në procese kualitative të mësimit.
   Pra, PSD synon reforma në sistemin e arsimimit. Institucionet e Kosovës duhet të prodhojnë kuadro adekuate për zhvillimin e shtetit. Konsiderojmë se programet e tanishme arsimore nuk janë të adaptuara për kohën dhe nevojat e ekonomisë së lirë të tregut.
   Vëmendje e posaçme duhet kushtuar arsimit të lartë. Kuadrot që dalin nga universitetet nuk janë të përgatitura për punë profesionale. Universitetet janë të politizuara. Nuk ka konkurrencë të drejtë dhe qasje të barabartë në studime universitare. Mësimdhënësit në universitete nuk i kushtojnë kohë të mjaftueshme edukimit profesional të studentëve dhe në universitete mungon puna shkencore. Kjo gjendje duhet të ndryshoi.
   Ne angazhohemi për qasje të re ndaj arsimit duke insistuar që:
-          politika të jetë jashtë shkollave dhe universiteteve;
-          të ketë domosdo barazi dhe drejtësi gjatë pranimit të studentëve në universitete;
-          mësimdhënësve t`u pamundësohet që të marrin poste të shumta: një vend pune –          një njeri;
-          të hartohen programe të reja arsimore të bazuara në ekonominë e tregut dhe      kërkesat bashkëkohore;
-          në numër të kufizohen universitetet private dhe të kontrollohet puna e tyre.

Ndërtimi i infrastrukturës

   Ndërtimi i infrastrukturës është parakusht qenësor për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Kosova ka buxhet modest por mund të investoi në projekte të infrastrukturës, mirëpo ai buxhet duhet të menaxhohet në mënyrë efikase dhe në të mirë të vendit. Projektet infrastrukturore nuk bën të dështojnë për shkak të aferave korruptove dhe për shkak të jo profesionalizmit në punë. Një rrugë e shtruar një herë nuk mund të rishtohet çdo vjet duke dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe duke ngulfatur investimet tjera të infrastrukturës.
   Transporti hekurudhor duhet të shtrihet në tërë Kosovën, ndërsa transporti ajror gjithashtu duhet të zgjerohet. Ne angazhohemi për një mbikëqyrje të rreptë të realizimit të investimeve nga kompanitë që fitojnë tenderin, si dhe kyçjen e ndërmarrjeve profesionale në realizimin e projekteve investuese.
   Zhvillimi i suksesshëm ekonomik i Kosovës nënkupton infrastrukturë të mirë të komunikacionit, rrjetin rrugor dhe hekurudhor të integruar në sistemin komunikues të Evropës dhe kjo nënkupton:
-  heqjen e monopolit privat mbi tokën mbi të cilën kalojnë korridoret, në mënyrë që kjo tokë të mbetet në pronësi të shtetit dhe kështu përgjithmonë të behet e mirë publike nga e cila do të kenë dobi të gjithë qytetaret e Kosovës, ndërsa koncesioneret, të cilëve do t`u mundësohet ndërtimi i auto-rrugëve, urave dhe hekurudhave, profitin e tyre do ta realizojnë gjatë periudhës së koncesionit;
-  shqyrtimin e nevojave dhe mundësive reale, respektimin e mendimeve të ekspertëve, koordinimin efikas të shërbimeve kompetente shtetërore, heqjen e pengesave burokratike dhe transparencën e plote të opinionit në përcaktimin e prioriteteve të infrastrukturës, zgjedhjen e punë-kryeseve të mbështetur në konkurrencë, kontrollin e harxhimit të mjeteve të buxhetit në projekte, si dhe kontrollin shumë të rreptë e të ashpër të kualitetit të punëve të kryera, ashtu që të mos i asfaltojmë rrugët e njëjta pas pak vitesh ose të mos i mihim serish trotuaret e posa ndërtuara. Nëse nuk lejojmë që kjo të ndodhë në shtëpinë tonë, pse të tolerojmë që kjo të bëhet në shtet – në shtëpinë tonë të përbashkët?
-  Kosovës i duhet një bankë e fuqishme e zhvillimit, e cila do t`i marrë në mbikëqyrje punët e investimeve shtetërore;
-  Rrjeti ekzistues i bankave nuk i përmbushë nevojat zhvillimore të Kosovës, por vështirëson dhe ngadalëson zhvillimin e saj;
-  Masë e suksesit të çdo qeverie është se sa investitorë të huaj ka arritur t`i sjellë në Kosovë, por edhe sa tregje ka hapur jashtë vendit për njerëzit e saj, mallrat dhe paratë.

Zhvillimi i sektorit privat dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

   Në një vend ku ka vetëm korporata të mëdha nuk ka konkurrencë lokale, nuk ka mirëqenie për të gjithë dhe nuk ka stabilitet ekonomik. Në Kosovë momentalisht punëdhënësit më të mëdhenj dhe gjeneruesit më të mëdhenj të profitit janë ndërmarrjet publike. Përderisa vetëm disa ndërmarrje kanë monopol, nuk do të ketë shërbime cilësore. Ne jemi kundër monopolit dhe për hapjen e tregut për investime.
   Ndërmarrjet publike, sidomos disa, duhen të shndërrohen në shoqëri aksionare në të cilat aksionar mund të jetë edhe qytetari. Nga privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe shoqërore në çdo rast duhet të përfitojnë qytetaret.

Politika e privatizimit dhe zhvillimi i sektorit privat

   Ne jemi për privatizimin e pronës shoqërore, por e kundërshtojmë procedurën e gjertanishme të privatizimit. Prona publike dhe ajo shoqërore nuk është thjeshtë patundshmëri dhe ajo nuk mund të shitet si e tillë. Prona publike dhe shoqërore paraqet potencialin themelor për zhvillim ekonomik të vendit. Për këtë arsye ajo duhet të privatizohet nga ndërmarrësit serioz dhe jo të blihet nga spekulantet e patundshmërisë. E gjithë prona e privatizuar duhet të rivihet në tender, nëse personat që e kanë blerë atë pronë nuk e kanë vitalizuar ekonomikisht ndërmarrjen ose nuk i kanë bërë investimet e premtuara. Pasuria e Kosovës me potencial ekonomik duhet të kalojë në duart e investitorëve serioz dhe jo spekulantëve e shitblerësve të pronave. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një sektor të shëndoshë privat dhe do t`u mundësojmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të zhvillojnë afarizmin e tyre.

Punësimi

PSD-ja do të angazhohet për punësim të qytetarëve. Me programin tonë për zhvillim ekonomik, ne do t`i ofrojmë ekonomisë kushte shumë më të volitshme të operimit afarist dhe kështu do të rrisim kërkesën për punë. Njëkohësisht ne do të luftojmë ekonominë informale dhe do të mbikëqyrim implementimin e ligjit të punës. Ne do të kërkojmë nga ekonomia trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve dhe pagesë adekuate për punën e bërë.
   PSD angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve duke zbatuar këto masa:
-    Evitimin e largimeve nga puna pa përgjegjësi;
-    të heq orët jashtë orarit të punës dhe të bëj të detyrueshëm respektimin e orarit prej tetë orësh, me çka vetëm në sektorin e tregtisë dhe hotelerisë do të krijohen me mija vende pune;
-   të nxisë punën me orar të shkurtuar për kategori të caktuara – pagat pjesërisht           t`i kompensoi punëdhënësi e pjesërisht shteti;
-     të shfrytëzohet mundësia e rikualifikimit për punë brenda të njëjtës             ndërmarrje;
-     themelimin e fondeve të posaçme të solidaritetit.
-     Pra, do të angazhohemi për siguri të vendit të punës në sektorin publik dhe privat. Nëpunësit civilë nuk duhet të punojnë me kontrata. Ata duhet të rekrutohen në bazë të një procedure transparente dhe konkurruese dhe nuk duhet të ndërrohen sa herë që ndërron politika në Kosovë. Ata janë nëpunës të shtetit dhe jo të politikës. Punësimi i tyre duhet t`i nënshtrohet ligjit dhe mbikëqyrjes.
Për këtë qëllim PSD:
-     politikën e saj të punësimit e mbështet në rritjen sa më të madhe ekonomike,           në financimin e punëve me interes të përgjithshëm, në politikën moderne të        kohës së punës e cila promovon vetë përcaktimin dhe fleksibilitetin, me çka     do të sigurohet më shumë punë dhe do të zvogëlohet numri i të papunëve;
-     mbështesë fuqishëm kërkesën që secili që punon orarin e plotë të punës të fitoi       mjaftë që me fitimin e tij të mbuloi së paku nevojat elementare jetësore,          shpenzimet e ushqimit, veshmbathjes, ngrohjes dhe shpenzimeve tjera    komunale;
-     do të luftojmë për garantimin e pagës minimale nga e cila mund të jetohet;
      angazhohet që gratë dhe meshkujt të kenë paga të njëjta për punë të njëjtë, si          dhe njerëzit e punësuar në ndërmarrje të njëjta, në vende të njëjta të punës, më            shkallë të njëjtë të arsimimit, me përshkrim të njëjtë të punës dhe efikasitet në       kryerjen e detyrave të punës, të kenë paga të njëjta;
-     nxitë krijimin e lëvizjes për rishqyrtimin e efekteve ekonomike, sociale dhe             morale të procesit të deritashëm të tranzicionit, posaçërisht të privatizimit të           pa kontrolluar dhe të egër të pronës shoqërore dhe të tokës bujqësore dhe       kërkon që resurset kyçe të shoqërisë të vendosën nën kontrollin e shtetit;
-     insiston për sigurimin e participimit të punësuarve në vendosjen në ndërmarrje, për shpërndarjen e profitit dhe të drejtat tjera të punësuarve në         bazë të punës;

Politika agrare – Bujqësia dhe fshati

   Për PSD politika agrare përbën një ndër hallkat kryesore të programit të saj ekonomik, pasi që zgjidhja e problemeve të fshatit ka ndikim vendimtar në jetën politike, ekonomike e shoqërore të vendit. Ajo synon transformimin e fshatit në zonë bujqësore të zhvilluar. PSD i sheh të integruara të gjitha problemet e fshatit në një strategji rurale, ku politikat e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe pyjor, ato të përpunimit e industrializimit të produkteve, politikat fiskale e kreditore në fshat, politikat sociale, të infrastrukturës, agro-turizmit e demografike, shërbejnë si hallka të një procesi që përcaktojnë suksesin reciprok e që të gjitha së bashku, garantojnë objektivin final: modernizimin e fshatit në Kosovë.
   Duke pasur para sysh kushtet natyrore, përparësitë krahasuese dhe tokën frytdhënëse, PSD në bashkëpunim me të gjithë të interesuarit do të, zhvilloi strategjinë e ripërtëritjes së bujqësisë dhe fshatit, në bazë të së cilës do të zbatohet reforma agrare, ndërpritet eksploatimi i fshatit dhe fshatarëve.
               Vëmendje e posaçme do t`i kushtohet:
-                zhvillimit të bujqësisë dhe industrisë përcjellëse, siç janë industria ushqimore    dhe prodhimi i plehrave artificiale, zhvillimi i kapacitetet e vogla përpunuese të   produkteve bujqësore, dhomave ftohëse për pemë, perime mish dhe produkte të          mishit;
-                ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës për ujitje dhe kullim të tokave;
-                subvencionimin e prodhimit bujqësor, kontrollin dhe mbizotërimin e disparitetit            të çmimeve të produkteve;
-                masave për stimulimin e disa degëve të bujqësisë, për blerjen e mekanizimit dhe           veçanërisht, për ndërtimin e reparteve prodhuese dhe objekteve të           infrastrukturës në fshatra, si dhe me prodhim të kontraktuar direkt të dhjetëra       llojeve të pemëve dhe perimeve me ndarjen e fidanëve, farës, shorteve etj.
-                përtëritjes së amvisrive familjare bujqësore, si njësi themelore të ndërmarrjes në             bujqësi;
-                zhvillimit dhe vendosjes së kooperativave si institucione sociale dhe ekonomike           të cilat do të jenë qeliza stabile të prodhimit, nga të cilat do të filloi planifikimi i   sasive të eksportit të produkteve, gjë të cilën sektori i qeverisë për eksport do ta   plasoi në botën e jashtme;
-                shtimit të efikasitetit të punës në bujqësi, shtimit të produktit të përgjithshëm   bujqësor, por edhe të dobisë nga ajo, që Kosova të bëhet fidanishte e pemëve             dhe perimeve;
-                aprovimit dhe zbatimit të masave me të cilat bujku do të bëhet bartës i sigurisë             së vet sociale dhe ekonomike, si dhe i sigurisë së shoqërisë, dhe jo humbës i           varfëruar të cilit i është marrë çdo gjë dhe nga i cili është krijuar rast social;
-                                        krijimit të parakushteve që bujqësisë, agro-turizmit dhe fshatit t`i kthehen mijëra       njerëz dhe atë përmes lehtësimeve tatimore, sigurimit të kredive të volitshme         dhe me masa tjera;
-                ndërtimit të infrastrukturës dhe përmbajtjeve tjera në fshatra, në mënyrë që       fshati për kah komoditeti i jetës t`i afrohet qytetit, ndërsa t`i ruaj të gjitha    përparësitë e jetës në mjedis të qetë dhe të shëndoshë;
-                krijimi i kushteve për shfrytëzimin maksimal të frutave malore dhe bimëve me veti shëruese;
-                toka bujqësore në qytete te shndërrohet në ndërmarrje publike për furnizimin e             qytetit dhe të rregullohet si pronë e zinxhirit të mbyllur të prodhimit.

Produktet pjesërisht do të shiteshin edhe në qytete më të mëdha në shitore ekonomike të ushqimit, kështu që të mos ndodhë që të shkatërrohen tonelata patatesh, specash, qepesh, pastaj, rrushi, qershitë, mollët, dhe pemët e perimet tjera stinore.

 POLITIKA SOCIALE

Drejtimet kryesore

   Politika sociale duhet të bëhet veprimtari e organizuar e shtetit dhe subjekteve shoqërore. Kjo me qëllim të mbisundimit të dallimeve sociale, duke ndihmuar të varfrit dhe personat e grupet e përjashtuara, duke barazuar shanset jetësore. Me një fjalë, duke përparuar mirëqenien sociale të qytetarëve. Në qendër të interesit të politikës së PSD ndodhet insistimi që shoqëria të zhvilloi vlerat e saja si solidariteti, drejtësia sociale, barazia, siguria sociale dhe kohezioni social. Sot standardi i arritur social dhe jo vetëm forca ekonomike përcakton nivelin e zhvillimit të një shoqërie.
   Prandaj, PSD nëpërmjet programit dhe politikave sociale synon që në shoqërinë tonë të realizoi barazi dhe drejtësi sociale, me objektiv kryesor luftën kundër varfërisë dhe ngritjen e standardit të përgjithshëm social e ekonomik të anëtarëve të shoqërisë.
   Nuk do të lejojmë që Kosova të jetë e fundit ne Evropë, të mbetet shoqëri e të varfërve dhe të pashpresëve. Kosova ka forca dhe resurse materiale, me kusht që të ndalet plaçkitja e mëtejme, që të përfundoi lidhja e oligarkisë mafioze dhe politike, që të ndahet më drejt ajo që e kemi dhe që të krijojmë shoqërinë e drejtësisë sociale.
   Për këtë arsye angazhohemi që:
-                të ekzistoi baraspesha ndërmjet interesave të punës dhe kapitalit;
-                shteti dhe punëdhënësit të jenë në aspekt social të përgjegjshëm;
-                të sigurohet shkalla më e lartë e mbrojtjes së të drejtave të punësuarve, fitimi i        arsyeshëm dhe me efektivitet do të dënohet çdo shkurtim dhe vonim në            realizimin e këtyre të drejtave, sidomos në pagesën e pagave dhe të         kontributeve përkatëse;
-                të jetë e garantuar e drejta e pronës dhe të bëhet i pa mundur uzurpimi ose keqpërdorimi i privatizimit;
-                me privatizimin e pasurisë shoqërore të ngritët prodhimi dhe shërbimet, të   rritet punësimi dhe të ardhurat, dhe të mos shkatërrohen ndërmarrjet për t`ua         marrë objektet, hapësirat afariste, lokalet apo tokën ndërtimore;
-                punëtoret nuk guxojmë t`i lëmë që të jenë edhe më tej  viktimë e privatizimit          dhe nuk duhet të mbesin pa punë, pa të ardhura të drejta, pa sigurime sociale e           të tjera;
-                të sigurohet mirëqenia sociale e të papunësuarve, e cila do të mbulonte së    paku shpenzimet minimale të mbijetesës të kësaj kategorie të rrezikuar sociale    të popullsisë;
-                familjet e varfërua të kenë mbrojtjen shëndetësore pa pagesë, ndërsa të tjerët          mbrojtjen shëndetësore me participim sipas mundësive materiale dhe gjendjes             sociale të familjes, si një masë të vetme;
-                çdo fëmijë nga familjet e varfra të këtë shkollim pa pagesë;
-                të gjithë qytetaret e rrezikuar në aspekt social të gëzojnë mbrojtje përkatëse të         shtetit, e cila mbrojtje do të përfshijë edhe banimin shoqëror;
               -           të jetë siguruar barazia e plotë e të gjithëve dhe nuk do të tolerohet asnjë                                formë e diskriminimit apo dhunës, ndërsa grupet e margjinalizuara dhe të                                        lënduara nga aspekti socio-ekonomik do të kenë mbrojtje të veçantë.
Vlerat njerëzore

   Në fazën e tranzicionit nëpër të cilën është duke kaluar Kosova, vlerat e shoqërisë sonë, gjithnjë e më shumë janë duke pasur rënie apo janë në zhdukje e sipër. Vlerat siç janë respekti për njerëzit, respekti për më të dobëtit, solidariteti me të dobëtin, me të hendikepuarit, solidariteti në mes gjeneratave, respekti për punë, vlerësimi i punës dhe punëtorëve dhe bujaria janë vlera të cilat kanë pësuar rënie. Këto janë vlera të popullit të Kosovës të kultivuara me breza dhe njëkohësisht janë vlera social-demokrate. Këto vlera e kanë mbajtur gjallë popullin tonë dhe i kanë ndihmuar që t`i kapërcejë kohërat më vështira të historisë. Me zbehjen e këtyre vlerave rrezikojmë në humbjen e identitetit tonë kombëtar.
   Ne do të angazhohemi për kthimin e këtyre vlerave. Për këtë arsye ne angazhohemi për një qasje tjetër, një qasje njerëzore dhe dinjitoze ndaj njerëzve. Njerëzit duhet trajtuar sipas vlerave që kanë e jo sipas përkatësisë politike, klanore, etnike, rajonale, familjare, fetare etj. Punëtori duhet të vlerësohet sipas punës që bën dhe të marrë pagë meritore, të ketë mundësi avancimi në punë dhe të ketë siguri për vendin e punës. Pensionistet të kenë trajtim meritor e jo të trajtohen si tepricë teknologjike e shoqërisë. Njerëzit e paaftë për punë të mos jenë pa përkujdesjen e shtetit. Shërbimi shëndetësor të jetë i arritshëm për të gjithë, jo vetëm ata që kanë të paguajnë.
   Thënë troç, për ne vlerat njerëzore janë, vlerat mbi të cilat duhet të ndërtohet shteti dhe shoqëria jonë. Këto vlera duhet të rikthehen dhe kultivohen më tutje edhe nga pasardhësit tanë.

Liria e mendimit dhe veprimit

   Liria është tipar natyror i njeriut. Secili njeri ka nevojë të punoi dhe veproi lirshëm. Qasja në punë dhe veprimtari nuk bën të cungohet apo kufizohet nga askush. Njeriu duhet të gëzoi të drejtën të besoi lirshëm, të ketë ide të veta dhe të punoi lirshëm pa çfarëdo presioni politik. Presioni politik prodhon diktaturë, ai e çrrënjos lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Secili person ka të drejtë që publikisht ta deklaroi mendimin e tij publik dhe të mos ketë frikë nga shantazhet dhe sanksionet politike të pushtetit.
   Liria e mendimit nuk bën të kriminalizohet nga pushteti. Pushteti nuk bën t`i ndajë njerëzit në miq dhe armiq të pushtetit varësisht nga bindja e tyre politike. Kjo ka ndodhë në të kaluarën dhe nuk bën kurrë të përsëritët. Qeveria që i ndanë njerëzit në miq dhe kundërshtarë është qeveri që ka për qëllim diktaturën. Çka është krim përcaktohet me ligj dhe atë duhen ta dinë të gjithë qytetarët. Por nuk është krim ajo që pretendon pushteti. Ligji është mbi pushtetin. Konsiderojmë  se mbi këto vlera duhet ndërtohet dhe forcohet demokracia.

 Solidariteti

   Shoqëria jonë duhet të ndërtohet mbi parimet e tolerancës dhe solidaritetit. Solidariteti është virtyt i njerëzimit. Kulturë është respekti ndaj të dobëtit, ndaj fëmijës, ndaj pleqve dhe njerëzve të hendikepuar. Kjo kulturë sociale është e mishëruar në mentalitetin e popujve evropian. Ne jemi në Evropë dhe këtë kulturë duhet ta kultivojmë. Ne dëshirojmë një shoqëri solidare në të cilën njerëzit dhe kategoritë nuk distancohen, nuk diskriminohen dhe shoqëri në të cilën shteti garanton një bazë materiale elementare, që ofron shërbime elementare shëndetësore për të gjithë njerëzit dhe garanton arsimimin e të gjithë qytetarëve. Ne promovojmë bashkëjetesën në mes të gjeneratave.
   Gjithashtu do të angazhohemi për solidaritet në mes të kulturave të ndryshme në Kosovë. Diverziteti kulturor e bën Kosovë me të pasur.

Drejtësia sociale

   Një shoqëri në të cilën i forti ka të drejtë është një shoqëri johumane, jodemokratike, shoqëri e padrejtë dhe oligarkike. Ne angazhohemi për një shoqëri të drejtë dhe të bazuar në ligj. Për një shoqëri ku ligji dhe shteti janë të fortit dhe jo individët që janë në pushtet ose që janë financiarisht të fuqishëm. Drejtësia nuk bën të ketë çmim. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.
   Pasuria duhet të fitohet në bazë të punës, krijimit dhe aftësive afariste të personit, jo në bazë të afërsisë me pushtetin, anashkalimit të detyrimeve tatimore dhe kontrabandës.
   Shpërndarja e të mirave duhet të bëhet në mënyrë të drejtë. Të gjithë kanë hise në Kosovë dhe hisja duhet të shpërndahet duke u bazuar në parimet e kontributit dhe solidaritetit.

Shanse të barabarta për të gjithë

   Shteti i Kosovës duhet të krijoi shanse të barabarta për të gjithë. Kjo nënkupton që njerëzit të vlerësohen në bazë të meritave dhe jo në bazë të përkatësisë familjare politike ose rajonale. Të gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë dhe të gëzojnë një trajtim të barabartë të garantuar nga ligjet.

Toleranca

   Populli i Kosovës është popull tolerant. Kjo është dëshmuar gjatë gjithë historisë së tij. Ne duhet të promovojmë tolerancën ndaj bashkëqytetarëve, ndaj qytetarëve të feve të ndryshme dhe kombeve të ndryshme që jetojnë në Kosovë. Ne angazhohemi për ndërtimin e një shteti tolerant të bazuar në vlerat socialdemokrate. Toleranca është virtyt i një populli dhe ajo duhet të aplikohet për të gjitha vlerat e mira shpirtërore dhe shoqërore.

Ndërtimi i shtresës së mesme

   Ne jemi kundër shoqërisë klasore në të cilën njeriu vlerësohet në bazë të të ardhurave materiale dhe pasurisë që ka. Jemi kundër zhdukjes së shtresës së mesme në Kosovë. Nuk është në interes të Kosovës që një shtresë e vogël oligarkike të pasurohet pakufi dhe një shtrese tjetër të varfërohet në skajshmëri. Nuk ka paqe sociale nëse rritën antagonizmat klasor. Nuk ka përparim shpirtëror kombëtar dhe mirëqenie pa konsolidimin e shtresës së mesme. Të mirat nga shteti ynë duhen të ndahen në mënyrë më të drejtë.

Mbrojtja e ambientit

   PSD-ja do të angazhohet për ruajtjen e ambientit dhe natyrës. Detyra e politikës është që të ndërtoi mekanizma që e mbikëqyrin dhe e zvogëlojnë ndotjen e ambientit në Kosovë. Shtetet me industri të zhvilluar kanë frikë për ndotjen e ambientit nga zhvillimi i industrisë. Në Kosovë ambienti ndotet për shkak të menaxhimit dhe mbikëqyrjes së dobët të ndotësve nga institucionet kompetente. Prandaj, do të angazhohemi për një kontroll më efikas të importit dhe shfrytëzimit të lëndëve djegëse. Teknologjitë dhe shfrytëzimi i resurseve natyrore nuk guxon të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve të Kosovës.
   Mbrojtjen e mjedisit e konsiderojmë si shans për zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Nuk ka mbrojtje të efektshme pa bashkëpunim me ekonominë dhe as zhvillim afatgjatë të ekonomisë pa respektim të detyrimit të mbrojtjes së mjedisit dhe të resurseve natyrore.

Kujdesi për vlerat e luftës

   `PSD do të tregoi një kujdes të veçantë për ruajtjen dhe avancimin e vlerave të mëdha të luftës për liri të udhëhequr nga UÇK-ja. Do të punojmë për avancimin e statusit të kategorive të dala nga lufta: familjet e dëshmorëve, të rënëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës. Këto kategori PSD i konsideron si vlera të çmueshme, të cilat meritojnë respekt dhe kujdes institucional.
   Do të mbështesim programet e rikualifikimit dhe punësimit të pjesëtarëve të luftës, si dhe mbrojtjen e tyre shëndetësore e sigurimin e banimit adekuat.
PSD po ashtu do të angazhohet edhe për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur që është një nga plagët më të mëdha të luftës.

Bashkimi në sindikata

   Organizimi sindikal është e drejtë e fituar kaherë e të punësuarve, ndërsa PSD do të angazhohet për respektimin e saj konsekuent, sepse ajo është bazë e sigurisë politike dhe sociale dhe themel i shoqërisë së drejtësisë sociale. Shteti detyrohet të respektoi dhe përkrahë pavarësinë dhe lirinë e organizimit social.
   PSD angazhohet për bashkëpunim me sindikata në luftë për garantimin kushtetues dhe ligjor të pozitës së tyre, si partner të barabartë me punëdhënësit dhe qeverinë, me të cilat me konsenzus do të merren vendimet strategjike. Pa sindikata të fuqishme s’ka qeveri stabile dhe të përgjegjshme! Për këtë arsye sindikatat e veta duhet t`i kenë jo vetëm punëtoret, por edhe fshataret, të papunësuarit dhe të pastrehët, sepse edhe këto shtresa shoqërore duhet të jenë të kyçura në zgjidhjen e problemeve të tyre jetësore.

Në vend të përfundimit

   Shteti partiak më nuk guxon të jetë fati ynë! Ajo është shkak i padrejtësisë gjithnjë e më të madhe dhe krizës gjithnjë e më të thellë, nga e cila mund të dalim vetëm me reformë, duke ndryshuar pushtetin e tashëm autokratik me atë demokratik – popullor. Na është e qartë të gjithëve se ato parti dhe udhëheqës politik, të cilët na kanë sjellë në këtë krizë, nuk kanë forcë, vullnet, e as dije që të na nxjerrin nga ajo, por na shtyjnë gjithnjë e më thellë në humnerë dhe në rrugë pa dalje.
   PSD si forcë politike e Kosovës do të udhëheq politikë të vendit që ka për qëllim që Kosovës t`ia kthejmë shpresën, që drejtësinë t`ia afrojmë drejtësisë, që të kthejmë besimin në institucionet e sistemit, që t`i mbrojmë të privuarit nga drejtësia, t`i trimërojmë të zhgënjyerit dhe të krijojmë kushte për jetë dinjitoze!
   Nuk premtojmë mirëqenie e as standard shumë të lartë! Ende jemi larg tij. Qëllimi ynë është të çrrënjosim urinë dhe varfërinë, t`u mundësojmë njerëzve që të jetojnë nga puna e vet. Premtojmë luftë të pa kompromis me korrupsionin, kriminalitetin dhe paligjshmërinë, dhe ky do të jetë hapi i parë drejt këndelljes ekonomike të shoqërisë!
   Socialdemokracia është orientim kyç i pjesës më të madhe të Evropës. Kjo do të jetë një forcë e re për Kosovën, për sigurinë, zhvillimin e gjithanshëm, solidaritetin dhe prosperitetin e saj.

 Aprovuar nga: 

Kuvendi i X i PSD, 17 Dhejtor 2016

No comments:

Post a Comment